Trump humbet këshilltarin ekonomik – Gary Cohn jep dorëheqjen pas konfliktit mbi tarifat e importit
Këshilltari kryesor ekonomik i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Gary Cohn, që është gjithashtu një mbështetës i Wall Street në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi se do të japë dorëheqjen.
Kjo lëvizje vjen pasi dështoi të bindë Donald Trump mbi anulimin e tarifave për importet e çelikut dhe aluminit.
Largimi i Cohn, drejtorit të Këshillit Kombëtar Ekonomik, pritet të përfundojë në pak javë dhe do të sjellë një hendek në administratën e Trump, në një kohë që ekonomia po rritet dhe tregjet janë në luhatje.
Trump publikoi në Twitter se do të marrë një vendim së shpejti për të zëvendësuar Cohn. Zyrtarët e Administratës thanë se Peter Navarro, drejtori i Këshillit Kombëtar të Tregtisë në Shtëpinë e Bardhë si dhe konservatori Larry Kudloë, janë dy pretendentët kryesorë për postin.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se konflikti mbi tarifat solli vendimin e Cohn për t’u larguar, por që nuk ishte shkaku i vetëm. Sipas tyre, misioni i tij më i madh ishte reforma tatimore.
Cohn e njoftoi presidentin mbi vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen, por sipas zyrtarëve, ai dhe Trump kanë diskutuar prej kohësh mundësinë e largimit. Cohn nuk u shfaq në konferencën për shtyp të Trump këtë javë, pavarësisht vendit të përgatitur për të.
Pas lajmërimit, dollari amerikan u dobësua dhe aksionet amerikane pësuan rënie, prej rritjes së pasigurisë mbi axhendën ekonomike në SHBA.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.