Trump i “sulet” përsëri Fed: “Powell e ka bërë keq detyrën. Unë mund ta pushoj”
Presidenti Donald Trump akuzoi kryetarin e Rezervës Federale Jerome Powell për detyrën e keqe që ka bërë, megjithatë, përpjekja për ta larguar mund të nisë një betejë ligjore me pasoja të mëdha për tregjet financiarë. Kritikat e reja të Donald Trump për mos uljen e normave të interesit, përbënin sulmin e fundit që ka nisur që kur presidenti e emëroi Powell në krye të Fed në fillim të 2018-ës. “Unë kam të drejtën ta pushoj atë” tha Trump duke shtuar se nuk e ka sugjeruar ndonjëherë këtë. Akti i Rezervës Federale tregon se një president mund të shkarkojë kryetarin e Rezervës Federale vetëm nëse ka ndonjë arsye legjitime. Historikisht, gjykatat nuk kanë interpretuar se këtu përfshihen ndasitë politike.
Powell ka thënë se ligji është i qartë dhe se ai ka për synim që ta shërbejë të plotë mandatin 4-vjeçar. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë mund të përpiqet ta ulë në detyrë, duke e lënë te bordi i guvernatorëve. Megjithatë, parimi i pavarësisë do të cenohej. Beteja ligjore për kryetarin e ri të Rezervës Federale do të linte bankën qendrore më të fortë në botë me një lidership të ndarë, përballë ngadalësimit ekonomik botëror. Rezerva Federale, nën drejtimin e Janet Yellen, nisi rritjen e interesave në vitin 2015, ndërkohë që papunësia ra në nivelin më të ulët në dekada. Megjithatë, banka qendrore ndaloi tkurrjen monetare këtë vit, ndërkohë që u rritën shqetësimet për ngadalësimin ekonomik botëror dhe konfliktet tregtare.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.