Trump kundër General Motors – Kërcënon heqjen e subvencioneve prej mbylljes së fabrikave
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi heqjen e subvencioneve për General Motors, në kundërpërgjigje të vendimit të firmës për të shkurtuar vende pune dhe fabrika në Amerikë.
“Shtetet e Bashkuara kanë shpëtuar General Motors dhe kjo është përgjigja që ne marrim. Tashmë po shqyrtojmë mënyrat se si të ulim subvencionet për kompaninë, përfshirë makinat elektrike”, shkroi Trump në Tëitter. Komentet e ashpra të Donald Trump shqetësuan investitorët, gjë që solli rënien e aksioneve të firmës me 2.6%.
Trump dhe Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kanë diskutuar me zhgënjim lajmërimin e General Motors për të mbyllur fabrikat në SHBA dhe Kanada. Irritimi i liderëve në të dy vendet ka shtuar sfidat për General Motors dhe rivalëve në Detroit.
Trump ka vendosur prioritet rritjen e vendeve të punës në industrinë e makinave dhe ka sulmuar shpesh prodhuesit në Teitter. Presidenti republikan përshpejtoi sulmet e tij këtë javë për planet e General Motors për të shkurtuar 15 mijë vende pune dhe mbyllur 5 fabrika në Amerikën e Veriut, përfshirë 4 në Shtetet e Bashkuara.
Kompania deklaroi pas komenteve të Donald Trump se do të ruajë një prezencë të fortë në manifakturë në Shtetet e Bashkuara, pas investimeve prej 22 miliardë dollarë që prej vitit 2009 dhe se do të shtojë vende pune në elektrifikimin e automjeteve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.