Trump merr raportin e makinave – Industria pret tarifa. I paraprin veprimeve duke paralajmëruar
Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara i dërgoi një raport presidentit Donlad Trump, që mund të sjellë vendosjen e tarifave të mëdha ndaj makinave, duke shkaktuar shqetësime te industria përpara se ky raport të prezantohet.
Departamenti deklaroi se nuk do të publikojë detaje të raportit mbi sigurinë kombëtare, që i’u dërgua Trump nga sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross. Trump ka 90 ditë kohë që të vendosë nëse do të veprojë ndaj këtyre rekomandimeve. Industria e makinave pret që këto veprime të përfshijnë tarifa ndaj automjeteve apo ndaj teknologjive dhe komponentëve që lidhen me makinat elektrike dhe të automatizuara.
Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë mori raportin, industria nisi një lobim të ashpër kundër kësaj. Industria paralajmëron se tarifat në 25% ndaj miliona makina të importuara do të shtojë kostot dhe sjellë humbjen e vendeve të punës në SHBA. Shoqata e Prodhuesve të Pajisjeve Motorike, që përfaqëson furnitorët e pjesëve të makinave, paralajmëroi se kjo do të tkurrë investimet në SHBA.
“Këto tarifa, nëse aplikohen, mund të zhvendosin zhvillimin e teknologjive të reja të industrisë jashtë Shteteve të Bashkuara. Asnjë kompani në industrinë vendase të makinave nuk e ka kërkuar këtë hetim”, deklaroi Shoqata. Shoqata Gjermane e Industrisë së Makinave (VDA), deklaroi se do të ishte e pakuptimtë nëse SHBA etiketon makinat europiane si një rrezik kombëtar.
Kompanitë gjermane të makinave punësojnë 113,000 persona në 300 fabrikat që kanë në SHBA. Departamenti i Tregtisë nisi hetimin në Maj 2018, me kërkesën e Donald Trump. Hetimi ka për qëllim të zbulojë efektin e importeve në sigurinë kombëtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.