Trump nuk dëshiron norma negative të interesit në SHBA: FED po na dëmton
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk dëshiron norma negative të interesit në Shtetet e Bashkuara, sikurse ka ndodhur në disa vende të tjera të zhvilluara.
I pyetur nga gazetarët, nëse dëshiron norma negative në interesit në SHBA, Trump u përgjigj: “Jo, thjesht mendoj se Rezerva Federale po bën një gabim të madh.
Nëse shikoni bankat e tjera qëndrore të botë, të cilat kanë norma shumë të ulëta, politikat e FED na e bëjnë më të vështirë për të konkurruar. Ne po bëjmë më mirë se kushdo tjetër, por Rezerva Federale po na dëmton”, tha Trump.
Presidenti amerikan, solli si shembull normat negative të interesit në Gjermani, ekonominë më të madhe të Europës. Për sa i përket tregtisë me Kinën, Trump tha se takimi i shtatorit mes dy administratave është ende i planifikuar. Duke folur për gazetarët, përpara se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se aktualisht, zyrtarët amerikanë po bisedojnë me homologët e tyre kinezë mbi tregtinë.
“Tarifat na kanë vendosur në një pozitë të jashtëzakonshme negociuese dhe këtë ja kam thënë drejtpërdrejt edhe Kinës. Situata do të përkeqësohet vetëm për Kinën nëse nuk do të kemi një marrëveshje”, tha Trump.
Lidion Kulla/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.