Trump paditet nga qytetarët pas shpalljes së situatës së emergjencës
Një organizatë jofitimprurëse paditi presidentin Donald Trump rreth devijimit të fondeve nga buxheti federal për të shpenzuar 8 miliard dollarë në ndërtimin e murit të premtuar nga vetë ai.
Ankesat e para kanë nisur nga tre pronarë të tokave në Teksasin e jugut, të cilëve u është thënë se qeveria do të kërkojë që të ndërtojë pjesë të murit në pronën e tyre pasi financimi të miratohet.Ndërkohë, Nayda Alvarez, paditësja e parë ndaj deklaratës së Trump pohon se ka frikë për shtëpinë e saj pranë Luginës së Rio Grande. Në shtator, Alvarez mori një letër nga Dogana dhe Mbrojtja e Kufirit të SHBA duke i kërkuar që të mund të vlerësonin hapësirën e shtëpisë së saj pasi aty do të kalonte projekti i ndërtimit të murit, duke prekur kështu disa hektarë tokë të trashëgimisë së saj familjare. Ndërsa shoqëria ‘Frontera Audubon’ në Teksas, thotë se ndërtimi i murit do të shkatërronte habitatin e kafshëve që ndodhet në atë zonë.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom dhe Prokurori i Përgjithshëm Xavier Becerra thanë se po planifikojnë të paraqesin ankesa në lidhje me këtë situatë, pasi presidenti po vë në rrezik programet e zbatimit të ligjit që luftojnë dhunën e bandës, shitjet e drogës dhe trafikimin e qenieve njerëzore. “Ndërtimi i murit nuk do të ketë asnjë funksion ndalues kundrejt droges që vjen në vendin tonë”– shprehet Gavin Newsom.
E.Z/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.