Trump përballet me revoltën e senatit-”Nuk votojmë për shpalljen e emergjencës së kufirit”
Deklarata e presidentit Donald Trump për shpalljen e emergjencës në kufirin SHBA-Meksikë shkaktoi mjaft debat. Disa anëtarë të partisë së presidentit pritet të rebelohen, kur senati të propozojë hedhjen poshtë të deklaratës së tij. Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga Demokratët muajin e kaluar mbështeti masën.
“Ata nuk pranojnë të shohin apo të pranojnë vdekjen, krimin, drogën dhe trafikimin njerëzor në kufirin tonë jugor. Unë jam i gatshëm të vendos veton ndaj rezolutës.”-deklaroi Trump.
Masa për të hedhur poshtë deklaratën e shpalljes së gjendjes së emergjencës, pritet të kalojë Senatin e kontrolluar nga republikanët, pasi pesë anëtarë republikanë thanë se do ta mbështesin atë. Megjithatë, Kongresi ka nevojë për dy të tretat e shumicës së të dy dhomave për të anashkaluar një veto presidenciale, e cila shihet gjerësisht si e pamundur në këtë rast.
Megjithatë, një humbje e tillë do të ishte një tjetër qortim ndaj presidentit, pikërisht një ditë pasi Senati miratoi një projekt-ligj për t’i dhënë fund mbështetjes amerikane për koalicionin e udhëhequr nga Sauditi në Jemen. Demokratët thonë se deklarata është jokushtetuese dhe se zoti Trump e ka prodhuar tashmë emergjencën kufitare.
Megjithatë, disa republikanë kanë mbështetur vendimin e presidentit dhe akuzuan demokratët për shpërfilljen e emergjencës në kufi. Udhëheqësi i Senatit Mitch McConnell thotë se “sjellja e demokratëve ka për qëllim vendosjen e pengesave partiake përpara interesit kombëtar”.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.