Trump pezullon tarifat ndaj Meksikës pas marrëveshjes së emigracionit
Presidenti Donald Trump njoftoi të premten mbrëma se tarifat që ai kërcënoi javën e shkuar do të “pezulloheshin për një kohë të pacaktuar” pas disa ditë negociatash me Meksikën.
“Unë jam i kënaqur t’ju informoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një marrëveshje të nënshkruar me Meksikën,” njoftoi Trump në Twitter. “Tarifat e planifikuara për t’u zbatuar nga Shtetet e Bashkuara të hënën, kundër Meksikës, janë pezulluar për një kohë të pacaktuar.”
Trump njoftoi më parë se do të vendoste një tarifë prej 5%, duke cituar një fluks të madh të emigrantëve “që vijnë në vendin tonë nga Meksika në mënyrë ilegale”.
Trump kërcënonte se tarifat do të rriteshin në 10% në korrik, 15% në gusht, 20% në shtator dhe 25% në tetor, nëse Meksika nuk do të merrte hapa për të ulur normën e emigracionit të paligjshëm. Presidenti në njoftimin e tij të fundit tha se Meksika kishte pranuar “të merrte masa të forta për të frenuar valën e emigracionit”. “Kjo përpjekje po realizohet në mënyrë të tillë që të reduktohet ose eliminohet në masë të madhe emigracioni i paligjshëm që vjen nga Meksika për në Shtetet e Bashkuara,” tha Trump në mesazhin e tij.
Burimi: BusinessInsider
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.