Trump “rrëzon” tregjet – Në pikëpyetje premtimet, bie dollari, nafta dhe bursat
Tregjet e kapitalit janë regjistruar në një rënie të përgjithshme gjatë sesionit të sotëm, pas mbylljes së bursave në Shtetet e Bashkuara dhe Azi. Rënia vjen si pasojë e shqetësimeve që lidhen me aftësinë e Donald Trump për të realizuar premtimet për shkurtimin e taksave.
Ishin pikërisht këto premtime që shtynë bursat drejt niveleve rekord maksimale në dy muajt e fundit. Tashmë, ky premtim po bën të kundërtën.
Investitorët tashmë kanë filluar ta kërkojnë sigurinë gjetkë, te ari, borxhi dhe yeni japonez. Dollari amerikan ka prekur nivelin me të ulët në 4 muaj kundër yenit japonez, ndërkohë që monedha e përbashkët europiane ka prekur nivelin më të lartë kundrejt dollarit që prej fillimit të Shkurtit, në 1.08 dollarë.
Tregjet europiane u regjistruan të gjitha në rënie, të paktën 5 indekset kryesoret. Ato aziatike pësuan rënien më të madhe ditore që prej Dhjetorit, ndërkohë që Standart and Poor`s 500 ra me mbi 1% për të parën herë që prej Tetorit të vitit të kaluar.
E njëjta gjë vlen edhe për tregun e naftës. Nafta Brent e Londrës ka rënë pranë nivelit të 50.20 dollarëve për fuçi, që është niveli më i ulët në tre muaj, dhe tashmë niveli i 50 dollarëve për fuçi nuk duket më i sigurte.
Vetëm ari është regjistruar në rritje, me 0.2%, duke prekur nivelin më të lartë të tre javëve të fundit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.