Trump “shpëton” samitin – Bisedime produktive me Korenë e Veriut për ta zhvilluar
Edhe pse u duk se gjërat filluan të bëheshin serioze, marrëdhënia mes Donald Trump dhe Kim Jong Un vijon të jetë ende në nivelet e një loje. Samiti historik mes dy presidentëve u parashikua fillimisht për datën 12 Qershor, u anulua nga vetë presidenti amerikan.
Por, mesa duket, Donald Trump ka ndërruar sërish mendje, dhe i ka lënë një derë të hapur mundësisë për zhvillimin e këtij samiti. Presidenti amerikan deklaroi së fundmi se, Washingtoni po kryen biseda intensive dhe produktive me Pyongyangun mbi mundësinë e rizhvillimit të samitit të datës 12 Qershor.
Ky samit parashikohet që të mbahet në Singapor. Mediat amerikane bëjnë me dije se 30 zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit do të nisen për në Singapor këtë fundjavë.
Ky delegacion do të diskutojë në detaje axhendën. Madje, Trump shtoi se, samiti i Singaporit i datës 12 Qershor edhe mund të shoqërohet me një samit tjetër, në rast se do të jetë e nevojshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.