Trump sqaron “Trumponomics” – “Shkurtimi më i madh i taksave në historinë e SHBA”
Donald Trump, Steve Mnuchin, sekretar i thesarit dhe Gary Cohen drejtor i këshillit kombëtar ekonomik, kanë dhënë së bashku një intervistë për “The Economist”, ku shpjegojnë se çfarë është ajo që quhet ‘Trumponomics’.
Për presidentin amerikan, ‘Trumponomics’ përkthehet në shkurtimin më të madh të taksave të aplikuar ndonjëherë në historinë amerikane, dhe jo vetëm.
Donald Trump e përshkruan veten e tij si një ithtar i tregtisë së lirë, pra hedh poshtë çdo kritikë nga kundërshtarët e tij. “Unë jam për tregtinë e lirë dhe të hapur, por dua që të jetë edhe inteligjente dhe drejtë”, nënvizon Donald Trump për prestigjiozen.
Sa i përket temës së emigrimit, Trump shprehet se, nuk ka ndërmend të ndalojë emigracionin legal, vetëm ato ilegal. Madje, ai shton se, modeli të cilin ai kërkon të ndërtojë është i bazuar në atë kanadez dhe australian, pra i bazuar në meritë.
Në pjesën kryesore të intervistës, atë për reformën fiskale, Trump flet edhe për reformën në sistemin shëndetësor, duke shtuar se, eliminimi i Obamacare përkthehet në një kursim prej 400 deri në 900 miliardë dollarë. Këtë deklaratë e mbështet pa hezitim edhe sekretari i thesarit, Steve Mnuchin.
Këto para sipas Trump do të financojnë shkurtimin e taksave, në një kohë që Amerika është vendi më i taksuar në botë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.