Tsipras, apel Europës: Na jepni një zgjidhje për borxhin, e keni për detyrë
Greqia e ka bërë detyrën e saj, dhe kjo gjë njihet nga pjesa dërrmuese e kreditorëve ndërkombëtarë dhe partnerëve, deklaroi kryeministri grek, Alexis Tsipras.
Ai, ndër të tjera, shtoi se, Greqia do të pranojë një zgjidhje mbi borxhin që garanton aksesin e menjëhershëm të vendit në tregje, në terma të qëndrueshëm, duke nënvizuar se tashmë kreditorët duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, përfshirë Bankën Qendrore Europiane.
Kjo deklaratë erdhi vetëm një ditë pas asaj të Benoit Coeure, anëtar i bordit drejtues të bankës, i cili i bëri apel Eurogrupit që të miratojë në 15 qershor masat për lehtësimin e borxhit të vendit, që janë pengesa kryesore për përfshirjen e Greqisë në tregjet ndërkombëtare të borxhit dhe skemën e blerjes së titujve.
“Ata kanë një detyrim moral dhe ligjor për ta bërë këtë”, nënvizoi kreu i ekzekutivit helen. Tsipras ndër të tjera i bëri apel grekëve që në momente të tilla të jenë të bashkuar, pasi qëllimi është i përbashkët dhe ka një rëndësi kombëtare.
“Një zgjidhje e pastër për Greqinë është e tillë që nuk prodhon pasiguri për investitorët. Në këtë kohë, si Greqia ashtu edhe Europa e kanë aftësinë për të ofruar një zgjidhje të tillë”, mbylli fjalën e tij Alexis Tsipras.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.