Tsipras optimist për ekonominë: “Rritja ekonomike mbi projeksionet, papunësia do bjerë”
Ekonomia helene do të zgjerohet me një normë prej rreth 2% gjatë këtij viti, lehtë mbi projeksionet aktuale të qeverisë së vendit, siguroi kryeministri Alexis Tsipras. Vendi i goditur nga kriza e rëndë ekonomike dhe financiare mbylli në muajin
Qershor rishikimin e fundit të programit të shpëtimit dhe u rikthye në tregjet e borxhit pas tre vitesh mungesë. Athina zyrtare projekton një rritje të ekonomisë pranë 1.8% përgjatë këtij viti.
Më parë ndërkohë, projektonte një normë prej 2.7%, por që e uli ndjeshëm menjëherë pas raportit të Komisionit Europian.
Tejzgjatja e negociatave me kreditorët për rishikimin e programit të shpëtimit vlerësohet t`i ketë shkaktuar një dëm të madh ekonomisë helene.
“Projeksioni se, vitin 2017 do të mbyllet me një normë rritje pranë 2% do të konfirmohet, shtoi Tsipras, duke deklaruar gjithashtu se, papunësia, që aktualisht fiksohet pranë 21.7%, pritet të bjerë nën 20% vitin e ardhshëm”.
Ndër të tjera, Alexis Tsipras nënvizoi se, banka shtetërore për zhvillim që do të financojë biznesin e vogël dhe të mesëm, do të jetë funksionale që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.