Tsipras: Propozimi i Tusk mbi kuotat e refugjatëve, ‘fatkeq dhe i panevojshëm’
Propozimi i Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk për të hequr kuotat e detyrueshme për zhvendosjen e azilkërkuesve në të gjithë Bashkimin Europian, është ‘fatkeq, i parakohshëm dhe i panevojshëm’, tha kryeministri grek Alexis Tsipras.
Ai shtoi se Greqia nuk do të pranojë asnjë ndryshim në marrëveshjen aktuale dhe se propozimi ka pak shanse për t’u miratuar nga krerët e BE-së në Samitin që do të zhvillohet në Bruksel.
Tsipras vuri në dukje se në vitin 2015, Greqia u përball me valën më të madhe të migracionit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Duke komentuar kushtet e jetesës në pesë ishujt e Egjeut lindor që marrin më së shumti refugjatë, ai pranoi se situata nuk është e këndshme dhe është e vështirë për t’u menaxhuar.
“Ne duhet të zbatojmë një marrëveshje të vështirë me procedurat objektive të komplikuara”, tha ai.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.