Tuneli i rrugës Kardhiq-Delvinë – Merr fund “saga” për lotin 7, ARRSH shpall kompaninë fituese të tenderit
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese që do të kryejnë punimet në lotin 7 të aksit Kardhiq-Delvinë, duke i dhënë fund problemeve të procedurave tenderuese për këtë segment. ARRSH ka shpallur fitues bashkimin e operatoreve “Gjoka Konstruksion” & “Cobial” & “Gr Albania” & “Geoportal”, me një vlerë të përgjithshme punimesh prej 1.78 mld lekësh. Ishte pikërisht ky bashkim operatorësh që rreth një vit më parë paraqitën ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, me arsyetimin që ishin skulifikuar në mënyrë të padrejtë nga gara.
Ata ofruan 1.78 mld lekë për realizimin e punimeve, por ARRSH, pasi skualifikoi nga gara edhe 4 operatorët e tjerë pjesëmarrës, shpalli fitues të tenderit bashkimin e operatorëve ekonomikë “Ircop” S.p.a. & “Sulova Ndërtim Prodhim” &”Vega” & “A&E Engineering”, që kishin dorëzuar edhe ofertën më të lartë për kryerjen e punimeve. Me konkretisht, ky konsorcium fitues në atë kohë ofroi 2.29 mld lekë, një vlerë shumë pranë fondit limit prej 2.33 mld lekë të vënë në dispozicion nga ARRSH.
Ndërkaq, pas shqyrtimit të ankesës, Komisioni i Prokurimit Publik i kërkoi Autoritetit Rrugor Shqiptar, kualifikimin e operatorëve ankimues. Me njoftimin e fituesit të ri, tashmë punimet për këtë vepër infrsatrukturore do të kryhen me rreth 500 mln lekë më pak. Loti 7 për aksin Kardhiq-Delvinë përfshin ndërtimin e tunelit, por ky tender nuk ka kaluar pa probleme duke qenë se fillimisht ARRSH kërkoi rishikimin e projektit ekzistues, por me ndryshimin e drejtuesve të institucionit gara u anulua, duke u rihapur mbi bazën e projektit ekzistues.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.