Turbina detare lundruese vendos rekord prodhimi – Furnizon e vetme 830 shtëpi për një vit
Një turbinë batice ka gjeneruar nivele rekord të prodhimit të energjisë gjatë vitit të parë të testimit të saj.
Turbina 2 MW, SR2000, prodhoi mbi 3 gigawatt orë energji elektrike të rinovueshme në më pak se 12 muaj, sipas një deklarate të “Scotrenewables Tidal Power”.
Ajo është e vendosur në Qendrën Europiane për Energji Detare, në Skoci dhe përshkruhet si turbina me rrymë batice më e fuqishme në botë. Teknologjia e saj bën të mundur shfrytëzimin e energjisë kinetike të rrymave që vërshojnë jashtë dhe drejt zonave baticore.
Sipas kompanisë, turbina e tyre ka furnizuar ekuivalentin e 830 shtëpive në Mbretërinë e Bashkuar për një vit dhe me rast ka arritur të plotësojë deri në 25% të ishullit Orkney, pranë të cilit është e vendosur.
Kjo është një arritje për teknologjinë, pasi energjia e prodhuar është më e lartë se e gjithë energjia e prodhuar nga sektori i energjisë së baticave dhe dallgëve në Skoci për 12 vite para se të niste testimi i SR2000.
Sipas Komisionit Europian, energjia e oqeaneve është e bollshme dhe e rinovueshme, ndaj ka potencialin për të kontribuar në 10% të kërkesës së energjisë së BE deri në vitin 2050.
Për këtë arsye, “Scotrenewables” synon të nisë ndërtimet e njësive të prodhimit komerciale më vonë gjatë këtij viti. Kjo përpjekje do të mbështetet edhe nga një fond i veçantë i BE prej gati 80 miliardë eurosh.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.