Turizmi, lufta për ekzistencë nga COVID-19! – SCAN MAGAZINE
Si ndikoi në sektorin e turizmit COVID-19, anulimet e hoteleve dhe udhëtimeve, ndërprerja e fluturimeve dhe parashikimet.
Sipas Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit, sektori i turizmit në këtë krizë pandemie globale është në një luftë për ekzistencën. Për këtë arsye, Gloria Guevara, Presidenti dhe CEO i WTTC, i ka drejtuar një letër qeverive në të gjithë botën, duke theksuar se 1/5 e vendeve të punës në botë janë të këtij sektori dhe 50 milionë vende pune janë të rrezikuara globalisht. Ndërkohë janë 320 milionë vende pune apo edhe familje që mbahen nga ky sektor që tani është pezulluar prej krizës dhe masave drastike të ndërmarra nga qeveritë e gjithë botës.
Sa turistë kishte vjet dhe sa të ardhura vijnë nga turizmi ?!
Turizmi në Shqipëri e ka nisur me shifra në rritje vitin 2020 edhe pas situatës së rënduar prej tërmeteve të ndodhura në vend në muajin shtator dhe nëntor të vitit 2019. Instituti i Statistikave raporton se në muajin janar Shqipërinë e vizituan rreth 250 mijë shtetas të huaj, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që turizmi vazhdon të dominohet nga vizitorët e vendeve fqinje.
Turizmi po regjistron prej vitesh një tendencë pozitive, e shprehur në rritje të numrit të turistëve dhe të kontributit të këtij sektori në ekonomi. Gjatë vitit 2019 Shqipërinë e vizituan 6.4 milionë shtetas të huaj, numri më i lartë vjetor i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të ardhurat në bilancin e pagesave në zërin “udhëtime” vetëm për 9-mujorin e vitit 2019 kishin vlerën e 1.64 miliardë euro. Megjithatë, kjo shifër përfshin shpenzimet e kryera gjatë udhëtimeve në Shqipëri nga të gjithë vizitorët, duke përfshirë këtu edhe emigrantët shqiptarë.
Të dhënat e janarit dëshmonin se turizmi mund të ishte i orientuar drejt një tjetër viti në rritje, por përhapja masive dhe e shpejtë e koronavirusit në Europë dhe mbarë botën ka frenuar dhe pezulluar ë mënyrë drastike lëvizjen e shtetasve.
Si ndikoi në Shqipëri COVID-19, kompanitë shqiptare që humbën nga rezervimet që kishin bërë jashtë. Ndikimi i pritshëm nga COVID-19 dhe nga termeti në kulmin e sezonit të prenotimeve.
Sikurse në të gjithë botën përhapja e pandemisë së COVID-19 ka goditur masivisht sektorin e turizmit edhe në Shqipëri. Sipas sipërmarrësve të agjencive turistike në vend vështirësitë kanë filluar që prej muajit shkurt kur nisën vonesat dhe anulimet e para të fluturimeve në Europë dhe në botë, me fillimin e përhapjes së virusit të ri.
Tashmë me masat drastike të ndërmarra nga qeveria shqiptare sikurse edhe në mbarë botën, si ndërprerja e plotë e fluturimeve, mbyllja e kufijve dhe karantina e detyruar për të gjithë njerëzit, ndikimi është akoma edhe më i rënduar dhe i rëndësishëm tek ecuria e këtyre bizneseve.
Qoftë udhëtimet disa ditore, paketat dy javore të pushimeve apo ofertat vendase për pushuesit e huaj janë pezulluar për një moment të dytë ose anuluar tërësisht duke shkaktuar një dëm të pallogaritshëm financiar tek ata që janë të punësuar ose të vet punësuar në këtë lloj sektori.
Veç agjencive turistike një tjetër komponent i rëndësishëm i turizmit në Shqipëri që u ndikua drejtpërsëdrejti nga tërmetet e ndodhura në vend dhe nga shëprthimi i Koronavirusit janë edhe strukturat akomoduese (hotele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) të cilat sipas INSTAT janë mbi 1400 të tilla. Me një llogaritje të thjeshtë numri i personave që siguronin të ardhurat e tyre mujore me këtë lloj aktiviteti është shumë i lartë. Sot ai përkthehet në një dëm shumë të madh financiar për të gjitha ato familje të cilat nuk mund të sigurojnë dot asnjë hyrje paraje në fund të muajit me bllokimin e plotë të lëvizjeve si hyrëse ashtu edhe dalëse në vend.
A do të jetë e sigurt të udhëtosh në qershor dhe korrik? – Ja çfarë duhet të dini përpara se të planifikoni pushimet verore!
A do të jetë e sigurt dhe e pranueshme për të udhëtuar në qershor dhe korrik? Dhe a është tani një kohë e mirë për të filluar planifikimin e udhëtimeve verore? Me kaq shumë paqartësi ende rreth pandemisë dhe aftësisë së botës për të frenuar përhapjen e virusit, nuk ka përgjigje të qartë për këto pyetje.
Me mbylljen e kufijve ndërkombëtarë, linjat ajrore që drejtojnë mijëra fluturime nëpër botë dhe zyrtarë shëndetësorë kudo që kërkojnë që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19, duke lëvizur vetëm për tek dyqanit ushqimor lokal mund të ketë pasoja serioze.
Departamenti Amerikan i Shtetit këshillon thjesht: “mos udhëtoni” dhe i referon njerëzit në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) për më shumë informacion. Ndërsa CDC ka një hartë që tregon nivelin e rrezikut në të gjithë botën, ajo nuk ka një afat kohor të qartë kur udhëtimi mund të jetë i sigurt.
“Vende të ndryshme mund të jenë në faza të ndryshme të pandemisë në çdo moment të kohës dhe pjesë të ndryshme të të njëjtit vend gjithashtu mund të jenë në faza të ndryshme të një pandemie“, shkruan CDC.
Por disa studiues të shëndetit publik sugjerojnë se kufizimet e udhëtimit do të zgjasin shumë më gjatë se disa muaj. “Gjërat do të jenë shumë të vështira për 12 muaj ose më shumë,” tha epidemiologu nga Penn State Maciej Boni për CNN Travel. “Pushimet mund të duhet të anulohen. Ndërveprimet shoqërore do të duken ndryshe. Dhe menaxhimi i rrezikut është diçka për të cilën do të duhet të mendojmë çdo mëngjes kur zgjohemi”, shkruan ai.
Vendimi nëse ju mund të bëni udhëtime të sigurta jashtë shtëpisë pa pasur parasysh në cilin vend, do të vijë kur të kemi arritur të “vulosim transmetimin” e COVID-19, thotë Kumi Smith, profesor asistent i epidemiologjisë në Universitetin e Minesota .
Modelet ndryshojnë në varësi të mënyrës sesi publiku reagon ndaj kufizimeve: Sa më pak të shkojmë në plazh dhe aq më shumë të ndjekim këshilla për të larë duart shpesh, të kollitemi dhe të tështijmë në bërrylat tona dhe praktikojmë distancën sociale, aq më mirë do të duken ato modele matematikore .
Por në të kundërt nëse vendosni të rrezikoni dhe të filloni të planifikoni një udhëtim veror, do të ishte shumë e këshillueshmë të shikoni dhe studioni të gjitha rregullat mbi ndryshiomet dhe anulimet e mundshme.
“Tani për tani, le të shfrytëzojmë kohën për tu endur në mendime dhe për të eksploruar dhe ëndërruar në mënyrë virtuale se cili do të jetë destinacioni ynë i radhës”, thotë Amanda Hills, presidenti i Hills Balfour, një agjenci PR në Londër që përfaqëson dhjetëra destinacione dhe hotele ndërkombëtare.
“Së shpejti, kufijtë do të hapen edhe një herë dhe do të hiqen pengesat.” Ndërkohë, Hills sugjeron të kaloni kohën duke shijuar “aventurat e kolltukëve”, të tilla si ture virtuale në këmbë nëpër Grand Canyon ose opera live streaming nga Vjena.
Edel Strazimiri / SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.