Turizmi që duam dhe turizmi që kemi! Situata e sektorit dhe tendencat e reja në kërkesën dhe ofertën turistike
Nga Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
Turizmin që kemi dhe atë që duam, e ndan një hendek i madh, përpos përpjekjeve për t’u rritur dhe për të qenë konkurrentë me vendet fqinje të pellgut mesdhetar. Shqipëria konkurron me natyrën dhe çmimet e lira për xhepat e turistëve të huaj, e kryesisht vendeve skandinave të cilët më së shumti janë në kërkim të detit dhe diellit, por ofron më pak se ç’duhet për pushuesit vendas, që çdo vit që kalon po zgjedhin më së shumti destinacionet e tregjeve të huaja turistike.
Nga ana tjetër, situata e nxehtë politika është një faturë e panevojshme që po “djeg” turizmin vendas. Megjithatë, parashikimet janë optimiste dhe pritet që viti të mbyllet me 6.6 milionë turistë, apo 600 mijë më shumë se një vit më parë.
Sezoni 2019
Sezoni turistik 2019 e ka gjetur vendin në një pikë të nxehtë, të shkaktuar nga situatat e tensionuara disa mujore të politikës, që mesa duket kanë dhënë efektet e para por jo ato vendimtare. Operatorët turistikë raportojnë anulime prenotimesh direkte nëpër hotele për shkak të imazhit të krijuar ndërkombëtarisht, si dhe INSTAT raporton frenim të turistëve të zonave kufitare.
Megjithatë shifrat hyrëse në total kanë ardhur në rritje dhe numërohen si turistë nga ana e qeverisë, pavarësisht destinacionit që kanë këta shtetas. Nga të dhënat e agjencive, kryesisht tregu shqiptar është i preferuar nga vendet e ftohta, të cilët së fundmi kanë gjetur “parajsën” e pushimeve, me çmime shumë të lira për standardin e tyre dhe me shërbim të mirë, pasi vendosen në hotele të shtrenjta dhe të paarritshme për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë.
Durrësi është destinacioni i preferuar për shkak të afërsisë me aeroportin dhe numrit të lartë të hoteleve në këtë zonë, të cilat kanë investuar dhe kanë ditur t’u përshtaten kërkesave të tyre, sidomos këto 2-3 vitet e fundit. Dhe si pasojë vetëm në plazhin e Durrësit sezoni është zgjatur në rreth 4 muaj, ndërsa për pjesën tjetër të bregdetit shqiptar vijon të jetë dy muaj. Kjo ka bërë që jugu i Shqipërisë apo pjesa e Shëngjinit dhe Velipojës të ketë më së shumti pushues shqiptarë apo nga vendet fqinje.
Në këtë pikë hotelet me emër janë të papërballueshme për qytetarët shqiptarë me ekonomi mesatare, të cilët duan s’duan u drejtohen strukturave informale si dhoma, shtëpi plazhi, apo hoteleve të lira, ku dhe marrin një shërbim në standard tejet të ulët. Dhe ata me gjendje të mirë ekonomike, po zgjedhin çdo ditë më shumë destinacionet e huaja ku marrin një shërbim të pacunguar, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe kundrejt një kostoje të pranueshme.
Ku “çalon” sektori?
Në kulm të sezonit turistik, vetë Ministria e Turizmit ka bërë një autokritikë për gjendjen ku ndodhet ky sektor dhe ka hartuar një strategji, e cila do të nisë zbatimin pas mbarimit të sezonit dhe që synon të kthejë “faqen e turizmit” në 4 vitet e ardhshme. Referuar situatës së paraqitur në draft, turizmi në Shqipëri ka dobësi të shumta, që e bëjnë vendin tonë të jetë jo konkurrues me shtetet e tjera të pellgut mesdhetar sa i takon shërbimeve dhe larg potencialit që përfaqësojnë pasuritë natyrore, historike e kulturore.
Infrastruktura, kapacitetet akomoduese, cilësia e shërbimeve, oferta dhe produkti turistik janë faktorët që kanë frenuar disi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, duke i lënë vend një zhvillimi të pakontrolluar e kaotik. Shqipëria ka mbetur mbrapa në ndërtimin e infrastrukturës turistike si qendra moderne kongresesh, parqe argëtuese dhe rekreacioni, fusha (kurse) golfi, marina etj., pa të cilat është e vështirë të tërheqësh segmente të caktuara të kërkesës turistike dhe për të mundësuar shtrirjen gjithëvjetore të turizmit. Gjithashtu, në Shqipëri, mungojnë qendrat për zhvillimin e turizmit malor dhe të aventurës, qendrat e zhytjes argëtuese, shtigjet e biçikletave etj., të cilat do ta pozicionin Shqipërinë në tregun e turizmit të interesit të veçantë. Për këtë arsye, qeveria ka hartuar strategjinë për zhvillimin e qendrueshëm të këtij sektori 2019-2023 e cila ka një kosto në total në rreth 1.8 miliardë lekë, por që parashikon ndërhyrje në disa shtylla, për ta kthyer turizmin në industri punësimi dhe me kontribut kryesor në ekonomi.
Strategjia parashikon krijimin e 6 poleve të integruara me potencial turistik, që do të fokusojnë ndërhyrjet e investimeve publike, do të shtrijnë përhapjen gjeografike të destinacioneve, si dhe do të rrisin kohën e qëndrimit jo vetëm përgjatë sezonit veror, por gjatë gjithë vitit. Parashikohet gjithashtu mbështetje e mëtjeshme e hoteleve me 4-5 yje, si dhe kombinim të aktivitetet turistike duke lëvizur drejt një oferte të konsoliduar dhe shtim të produktet e reja turistike.
Qëllim tjetër është tërheqja e investitorëve strategjikë, operatorëve të njohur ndërkombëtarë, dhe orientimin e investimeve publike e private drejt zonave me përparësi zhvillimin e turizmit. Një pikë e dobët e turizmit është edhe infrastruktura lidhëse dhe transporti, ku parashikohet të ndërhyhet. Duke evidentuar se rritja e cilësisë së shërbimeve turistike është ngushtësisht e lidhur me standardizimin e këtyre shërbimeve dhe certifikimin e ofertuesve të tyre, Ministria e Turizmit parashikon që deri në vitin 2023, do të konsolidohen standardet, do të klasifikohen strukturat akomoduese dhe do të ngrihet një regjistër i tyre, i cili do të përditësohet vazhdimisht.
Nëse kjo strategji zbatohet, dhe nuk mbetet vetëm një dokument, ashtu sikurse ka ndodhur me dokumente të tjera, qeveria parashikon që të ardhurat në turizëm të rriten nga 1,7 miliardë euro në 2017 në 2 miliardë euro në 2023, tërheqja e 2,5 milionë euro investime të huaja direkte në turizëm, 25 mijë të punësuar më shumë për 4 vjet, si dhe krijimin e 6 mijë bizneseve të reja në këtë sektor deri në vitin 2023.
Po ashtu parashihet, rritja e të ardhurave direkte nga taksat nga sektori i turizmit me 9 miliardë lekë deri në vitin 2023 dhe rritja e të ardhurave totale nga taksat nga sektori i turizmit me 31 miliardë lekë deri në vitin 2023. Si dhe rritja e kontributit të drejtpërdrejtë të turizmit në PBB nga 8.4% më 2016 në 10% më 2023.
Hotelet kërkojnë yjet
Në kulmin e sezonit turistik, Ministri i Turizmit Blendi Klosi ka zhvilluar një interpelancë me sipërmarrës turistikë dhe përfaqësues të shoqatave të hotelerisë për problematikat e strukturave akomoduese për vitin turistik 2019, një takim që ndoshta duhej ndërmarrë shumë më herët për të garantuar sezonin. Ndërsa njoftoi miratimin e një vendimi qeverie, i cili po në sezon kategorizon sturkturat, në hotele, bujtina, dhoma private, etj. Një ndër shqetësimet e ngritura nga bizneset e hotelerisë ishte klasifikimi i tyre sipas standardeve dhe vendosja e yjeve, një kërkesë kjo shumë e hershme dhe që ende s’është bërë realitet.
Zak Topuzi, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, tha se një nga shqetësimet kryesore në industrinë e turizmit është pikërisht ngritja e një sistemi klasifikimi në përputhje me aktet ndërkombëtare në hoteleri.
“Kjo do të ndihmojë, strukturat e hoteleve në Shqipëri për të bërë një luftë të ndershme në treg. Ne do të kërkonim dhe përfundimin e strategjisë, e cila është shumë e rëndësishme për investitorët potencialë, të cilët duhet të investojnë në fshatrat turistikë apo hotelet e mëdha që kanë shfrytëzim gjithëvjetor por edhe paketat full board në mënyrë që Shqipëria të tërheqë sa më shumë nga të ardhurat e këtyre turistëve që duan të paguajnë por duan edhe standarde”, tha Topuzi.
Në përgjigje të kryetarit të shoqatës të Turizmit, ministri tha: “Për zonat të cilat janë shpallur si zona me përparësi zhvillimi turizmi ka një dakordësi që të jetë në 65% të saj hoteleri dhe vetëm 30-35% vila apo akomodim dhe të gjitha këto mundësisht me shërbime hoteli apo të strukturës akomoduese. Ne kemi marrë një vendim për të mbajtur një situatë të frenuar në licensimin dhe dhënien e yjeve, standarteve të hoteleve edhe kjo për vetë faktin se vendimi i qeverisë i vitit 2017 i përcakton qartë se cilat janë kushtet dhe cfarë duhet të plotësojë një hotel. Filozofia jonë për të rritur standardet në përputhje me ato ndërkombëtare, që tashmë po realizohet dhe kemi jo pak, por disa brande të cilët janë sot në Shqipëri, kemi disa biznesmenë të cilët kanë arritur të vendosin marrëdhënie të vërteta dhe kanë përcaktuar se kush janë standardet europiane. Në këtë kuadër ne kemi bërë vendimin e fundit të qeverisë i cili i hap rrugë kategorizimit, një veprim i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të kuptuar edhe në kuadër të lehtësirave fiskale që ne japim përsa i përket të gjithë botës së hotelerisë edhe për të luftuar informalitetin por edhe për të kërkuar vendosjen e standardeve dhe më shumë se kaq vendosjen e raporteve të drejta ndaj taksave që paguajnë pranë pushteti lokal të realizimit se kush është një bujtinë në Shqipëri, kush është një hostel, kamping, hotel, resort, qendër kreative apo B&B. Vendosja tashmë, tani, në këtë fazë të zhvillimit të hotelerisë, të yjeve, mbase do të jetë një veprim i gabuar, pasi do të ketë një ndërhyrje të administratës publike mbi një biznes i cili po zhvillohet me shumë shpejtësi”, është shprehur ministri Klosi.
Pasiguria në plazhe
Rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të bëra një vit më parë, për sigurinë në plazhe nuk janë marë parasysh nga institucionet kompetente duke bërë që edhe këtë sezon të jetë i njejti problem. Duke marrë shkas nga ngjarjet e shumta e humbjes së jetëve të pushuesve në plazhet shqiptare, KLSH kërkon nga Ministria e Turzimit që përgjegjës për kontraktimin e vrojtuesit të plazhit të jetë autoriteti vendor, bashkia dhe jo stacioni i plazhit).
Ndërsa kostoja e vrojtuesit të plazhit të përfshihet në tarifën për dhënien me qira të stacioneve të plazhit. Po ashtu, KLSH rekomandon që të të përcaktohet shprehimisht mënyrën dhe institucionin përgjegjës për licencimin dhe trajnimin e vrojtuesit, si dhe për çdo 100 m të ketë vrojtues plazhi (dhe jo 250 sa është aktualisht), për të mbuluar me efiçencë monitorimin e pushuesve. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, përgjatë bregdetit shqiptar do të duhen rreth 5000 vrojtues plazhi, një statistikë kjo mjaft optimiste edhe për punësimin e të rinjve gjatë sezonit veror.
Ky institucion numëron dhe një sërë problematikash që lidhen me mosnjohjen e profesionit të vrojtuesit apo mungesës reale të kullave të vrojtimit dhe largësisë nga njëra-tjetra. Por Ministria e Turizmit edhe këtë vit nuk ka bërë asnjë ndryshim në mënyrën monitorimin e stacioneve të plazhit, të cilat do të monitorohen nga një task-forcë e ngritur për këtë qëllim, ndërsa këtë detyrë, Ministri i Turzimit Blendi Klosi, ua ka deleguar operatorëve privatë, si dhe pushtetit lokal, që sipas tij duhet të zbatojnë legjislacionin në fuqi për të garantuar jetën e pushuesve.
Akomodimi dhe infrastruktura
Në zonat që tërheqin më shumë turistë, qofshin këto bregdetare apo jo, numri i shtretërve është shumë i limituar dhe për më tepër me mesatare të ulët për njësi, çka sigurisht që ka efektin e vet edhe mbi numrin total të vizitorëve. Kësaj i shtohet edhe fakti se në shumicën e destinacioneve turistike, strukturat akomoduese janë më së shumti shtëpi private, apartamente e dhoma, të cilat ofrojnë kushte shumë minimale e shërbime të cunguara.
Shumë nga strukturat akomoduese, por edhe ofrues të tjerë shërbimesh, si restorante apo udhërrëfyes turistikë, operojnë në informalitet të plotë duke krijuar terrenin për shërbime të një cilësie të ulët, duke ndikuar në sigurinë e turistëve dhe në imazhin e vendit. Aktualisht, në gjithë vendin operojnë 2,437 struktura akomoduese.
Hotelet përbëjnë rreth 65% të totalit, ndërsa pjesa tjetër janë shtëpi e dhoma. Gjithashtu, sipas të dhënave të QKB, në vend janë licencuar 75 operatorë turistikë dhe 322 agjenci udhëtimi me një shpërndarje të ndryshme në qarqe, me pjesën dërrmuese të tyre të përqëndruar në Tiranë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.