Turizmi shëndetësor në rënie – Ja strategjia për të shtuar vizitorët dhe të ardhurat
Edhe pse në nivel global turizmi shëndetësor rritet me një normë mesatare prej 15-20% në vit, në vendin tonë shifrat e vizitorëve që hyjnë me qëllimin e trajtimit shëndetësor janë në rënie.
Sipas të dhënave të INSTAT, ky segment i turizmit në 3 vitet e fundit është ulur nga rreth 1500 persona, në vetëm 634 individë vitin e kaluar.
Sipas studimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, “aktualisht ky lloj produkti është adresuar në mënyrë sporadike sipas kërkesave të rastit, me një vlerë të ulët në treg kur njihet gjerësisht se një produkt i këtij lloji është relativisht i shtrenjtë dhe siguron të ardhura të konsiderueshme për ekonomitë”.
Avantazh i Shqipërisë në të ardhmen do të jetë kombinimi i shërbimeve shëndetësore me çmimet konkurruese dhe qëndrimin e këndshëm në një vend turistik. Zhvillimi varet nga ndërtimet e reja të qendrave shëndetësore apo të mirëqenies, SPA.
Strategjia e MTM përfshin pozicionimin e vendit në tregun rajonal dhe ndërkombëtar për këtë produkt, duke zhvilluar ofertën për segmente të ndryshme të tregut. Njëkohësisht do të kërkohet thithja e investimeve për zhvillimin e strukturave të reja akomoduese në zonat e pasura me ujëra termale.
Po shqyrtohet gjithashtu mundësia për ngritjen e një shoqate profesionale kombëtare për turizmin shëndetësor, e cila të bashkëpunojë me shoqatat dhe organizatat ndërkombëtare dhe të lidhë Shqipërinë me rrjete të njohura ndërkombëtare që ofrojnë këtë produkt, si Gjermania, Kroacia, Italia, Sllovenia, Hungaria dhe Greqia.
Së bashku me me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministria e Turizmit do të hartojë edhe një plan veprimi për zhvillimin e turizmit shëndetësor, mbi të cilin do të koordinohen masat dhe objektivat e përcaktuara më sipër.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.