Turizmi shqiptar, “i dënuar” të mbetet low-cost! Oferta e Shqipërisë në tregjet europiane, problemet, shpresat dhe zgjidhja
Bumi që vendi ynë priste këtë vit nga turistët mund të rezultojë më pak shpërthyes se ç’mund të mendonim. Kjo si nga numri i turistëve, ashtu edhe nga paratë e shpenzuara që do të vërshonin në ekonomi.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për shtatëmujorin e vitit 2017, numri i turistëve të huaj ishte në rritje me 6.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga udhëtimet, ku kryesisht përfshihen shpenzimet turistike, u rritën me 13% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Avantazhi kryesor konkurrues i Shqipërisë në turizëm për momentin janë çmimet më të ulëta.
Rrjedhimisht, vendi ynë tërheq kryesisht turistë që kërkojnë një zgjidhje ekonomike për pushimet e tyre. Kjo duket qartë nga vendet e origjinës që vizitojnë trojet tona. Nga 4.7 milionë turistë totalë në vitin 2016, 3,8 milionë erdhën nga Europa Jugore, ose më thjesht, nga Italia dhe vendet fqinje, pasi spanjollët e portugezët janë dukur pak në këto anë.
Shqiptarët e Kosovës, të cilët përbëjnë pothuajse gjysmën e turistëve, janë një nga vendet më të varfra të Europës, çka përkthehet në shumë pak para të shpenzuara, të cilat shkojnë më shumë drejt strukturave akomoduese, se sa bizneseve të tjera që mund të përfitonin indirekt nga turizmi. Po kështu mund të themi për maqedonasit, malazezët dhe pjesën tjetër të Ballkanit. Të vetmit që përjashtohen nga Europa Jugore janë italianët, të cilët janë edhe ndër shpenzuesit më të mëdhenj për pushime.
Sipas zyrës europiane të statistikave ata shpenzojnë mesatarisht 59 euro për natë. Por, vitin e kaluar 70% e italianëve i bënë pushimet në vendin e tyre, ndërsa ata që shpenzojnë shkuan në Spanjë dhe Francë, duke harxhuar mesatarisht 111 euro për natë. Nëse në Kroaci, që është edhe destinacioni i tretë më i preferuar, italianët shpenzuan vetëm 53 euro për natë, në Shqipëri mund të hamendësojmë se shpenzimi është shumë poshtë kësaj shume. Sa e ulët mund të jetë kjo shumë na e tregojnë statistikat për shpenzimin mesatar të turistëve grekë në Shqipëri.
Me 19 euro për natë, vendi ynë shfaqet si një oaz për pushuesit me pak para. Për t’iu kthyer origjinës së turistëve që shkelin tokën shqiptare, vetëm 475 mijë individë vijnë nga tre zona të globit në gjendje të ngritur financiare, si Europa Perëndimore, Europa Veriore dhe Amerika. Pra, vetëm 10% e vizitorëve janë të ashtuquajtur “turistë VIP”, të cilët kanë mundësi të shpenzojnë më tepër për dëfrim. Kështu, turistët VIP në rastin e Shqipërisë do të ishin ata nga Anglia (70 mijë deri në korrik), nga Gjermania (62 mijë), nga SHBA (57 mijë) dhe nga Zvicra (33 mijë).
Britania e Madhe
Por, arsyeja pse targat e automjeteve angleze rastisen më pak në akset kombëtare që të çojnë në bregdet, se sa ato të polakëve (58 mijë), është se ata preferojnë paketa specifike të turizmit malor, duke zgjedhur të përshkojnë disa shtete. Kështu, 77 eurot në ditë të shpenzuara mesatarisht nga turistët britanikë, ndahen në një tur ballkanik mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kroacisë. Për britanikët, Ballkani shihet si një zonë e vetme, shumë tërheqëse, por pa një vend që spikat për të kaluar disa ditë më shumë. Edhe paketat e tur-operatorëve britanikë përfshijnë të gjithë rajonin, me në qendër “Bjeshkët e Namuna” dhe kafshët e egra. Këto aventura në zbulim të peizazheve mbresëlënëse, lumenjve të paprekur dhe zogjve të rrallë, kushtojnë nga 1 mijë deri në 3 mijë paund për 9-15 ditë, në varësi edhe të numrit të vendeve të vizituara.
Gjermania
Kur kalojmë tek grupi tjetër i turistëve, gjermanët, është e pamohueshme që potenciali është jashtëzakonisht i madh, duke konsideruar se janë kombi që shpenzojnë më shumë për pushime në botë. Probleme me Gjermaninë duket të jetë mungesa e interesimit ndaj Shqipërisë, nga ana e tur- operatorëve. Pavarësisht pjesëmarrjes në disa panaire turistike në këtë shtet, i cili qartësisht është një nga prioritetet e qeverisë, Shqipëria nuk duket asgjëkundi në katalogët gjermanë të pushimeve.
Kështu, “TUI“, i cili është tur-operatori më i madh në Gjermani me 18,3% të tregut, nuk e përfshin vendin tonë si destinacion. Shqipëria nuk duket asgjëkundi as tek operatori i dytë, “Thomas Cook“, i cili zë 11.6% të tregut. Në Ballkanin Perëndimor, paketat përfshijnë vetëm Kroacinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Duke llogaritur se gjermanët po prenotojnë gjithmonë e më tepër për pushime përmes agjencive turistike, bëhet kritike përfshirja e ofertës shqiptare në këto katalogë. E kotë të themi që oferta shqiptare është e papërfaqësuar edhe në Shtetet e Bashkuara, ku shumë pak operatorë përfshijnë Shqipërinë në udhëtime, por edhe kur ndodh është zakonisht e grupuar me pjesën tjetër të Ballkanit.
Polonia
Nëse do të mund të thonim se oferta shqiptare është e dëgjuar fort dhe qartë diku, atëherë do të flisnim për Poloninë, ku muaj pas muaji Durrësi e Saranda kapërcejnë destinacione të ndryshme si më të preferuarat. Verën e këtij viti, Shqipëria u rendit e 7-ta për nga numri i prenotimeve, duke lënë pas Kroacinë, Portugalinë, Qipron, etj. Në këtë tregues, Tirana (si destinacion parësor) arriti të merrte pozicionin e 10-të, pas Majorkës e para ishullit të Kosit në Greqi. Sipas të dhënave të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Polonisë, paketat shqiptare kushtuan mesatarisht 2224 zloty për person, ose 519 euro. Shifra mund të duket e lartë, por ajo përfshin zakonisht transportin, akomodimin dhe ushqimin. Më dobët performon në këtë aspekt vetëm Kroacia dhe Bullgaria, vende që tashmë vuajnë efektet e të qenurit destinacione të lira.
Tregu nordik
Në fund të muajit shtator, një nga operatorët më të mëdhenj në vendet nordike, “Apollo”, njoftoi se duke filluar nga vera e ardhshme, do të rendisë Durrësin e Sarandën në listën e ofertave, duke nisur madje edhe fluturimet direkte drejt kryeqytetit. Paketa me çmime që nisin nga 54 mijë lekë për person, për 7 ditë, do të fokusohen tek turistë potencialë nga Suedia, Norvegjia dhe pjesa tjetër e Europës Veriore. Kështu, me shumë gjasa, 150 mijë vizitorët nga ky rajon do të shumëfishohen brenda disa vitesh.
“Me plazhe të shkëlqyera dhe çmime të ulëta, nuk është çudi që destinacioni është bërë shumë popullor mes norvegjezëve. Shqipëria do të bëhet gradualisht “Kroacia e re”, shprehet Erik Haug, drejtori i “Apollo“, Norvegji.
Parashikimi i “Apollo“-s, është që vitin e ardhshëm Shqipëria të hyjë tek grupi i katërt i më të kërkuarave, bashkë me Greqinë, Kroacinë dhe Spanjën. Agjencia është aq e bindur saqë ka eliminuar Turqinë nga lista, duke anuluar edhe fluturimet me charter drejt këtij vendi.
Linjat e reja
Ironikisht, shtimi i linjave low-cost mund të ndihmojë Shqipërinë të dalë nga kategorizimi i vendeve ku shpenzohet pak. Sa më tepër shtete të reja të hapin një dritare drejt vendit tonë, aq më të shumtë do të jenë vizitorët që zgjedhin të vijnë direkt në Shqipëri, duke eliminuar një hallkë që merr përqindjen e saj në fitime, siç janë tur-operatorët.
Por për këta turistë direktë le t’i quajmë, sidomos në vendet nordike, vihet re tendenca shumë e madhe për të prenotuar online pushimet. Edhe pse hiqen agjencitë, këtu hyjnë në lojë edhe shërbimet si “Booking“ apo “AirBNB“, ku shumica e akomoduesve shqiptarë preferojnë të qëndrojnë informalë në raport me shtetin, duke mos paguar taksa.
Formë e re turizmi
Potenciali i Shqipërisë si një destinacion i ri në Mesdhe, nuk ka kaluar pa u vënë re nga asnjë prej kompanive të mëdha që operojnë në sektorin e krocierave.
“MSC Cruises”, ofron tashmë 8 ekskursione në vend dhe kësaj do t’i shtohen brenda pak vitesh edhe “TUI Cruises”, “Costa Crociere” dhe “Pullmantur”, të gjitha këto grupe prestigjioze që janë në fazën e studimit të Shqipërisë.
“Fakti që Shqipëria ofron një alternativë mikpritëse ndaj destinacioneve të tjera të njohura, sidomos tani që pasagjerët kërkojnë vende të reja, interesante dhe të pazbuluara, e bën Shqipërinë një mundësi fantastike”, thotë Kyriakos Anastassiadis, kryetari i Shoqatës së Linjave Ndërkombëtare të Krocierave
Anijet gjigande të mbushura me pasagjerë mbartin në bord më së shumti turistë italianë, spanjollë, britanikë, gjermanë dhe francezë. Këta janë pikërisht turistët “VIP” që i duhen vendit, të cilët në ndalesat e tyre nuk kanë frikë të blejnë ato që duan dhe të shpenzojnë për argëtimin e tyre.
Turistë dhe pronarë
Ka ndodhur në Mal të Zi, ka ndodhur edhe në Kroaci. Sapo një destinacion fillon të bëhet i nxehtë, vijnë edhe interesimet për të blerë prona me perspektivën për t’i shitur më vonë me çmim më të lartë.
Kohët e fundit Shqipëria ka qenë në vëmendjen e agjencive të pasurive të paluajtshme në Rusi, sidomos për çmimin e ulët me të cilin mund të blesh një apartament në zonat bregdetare. “Shqiptarët shesin apartamente të reja me çmimin e një makine të përdorur”, ishte titulli i një artikulli të kohëve të fundit të botuar në mediat ruse. Nëse deri më tani të huajt e vetëm që blinin banesa në Shqipëri ishin vetëm italianët që dalin në pension dhe zgjedhin jetesën e lirë, shtrirja deri në Azi e blerësve potencialë nënkupton se vendit mund t’i shtohen edhe turistë, njëkohësisht pronarë të shtëpive të pushimit, që pas një investimi fillestar gjithçka shpenzojnë kthehet menjëherë në ekonomi. Pa përmendur këtu që do t’i kthenin frymëmarrjen e nevojshme sektorit të ndërtimit, i cili pas një hovi të dekadës së kaluar, ka mbetur me mijëra apartamente boshe me pamje nga deti.
Problemi me rritjen e çmimeve për turizmin
Nga fqinjët tanë jugorë na vjen edhe njëherë një shembull se si nuk duhet vepruar dhe rreziqet që ndjekin të qenurit një destinacion masiv. Me shtimin e turistë dhe gradualisht mbingopjen e kapaciteteve pritëse, hotelet dhe restorantet do të rrisin me të drejtë çmimet. Greqia dhe Bullgaria renditen mes vendeve ku pushimet kushtojnë më shumë në raport me të ardhurat për frymë, e një shtrenjtim çmimesh do ta katapultonte vendin tonë bashkë me to.
Një nga alternativat ndaj të qëndruarit pak të kushtueshëm, është krijimi i zonave ekskluzive për pushues të pasur. Kjo përfshin ngritjen e komplekseve luksoze e hoteleve me 5 yje. Por me strategjinë e qeverisë për subvencionimin e markave më të njohura përmes heqjes së taksave, përfitimet e para, krahas shtimit të disa vendeve të punës sezonale, do të vinin vetëm pas një dekade. Duket që e vetmja zgjidhje që ka turizmi shqiptar për të dalë nga ky ngërç është zgjerimi i ofertës. Nëse marrim shembuj nga Egjipti apo Turqia, krahas sistemit turistik të përbërë nga hotele luksoze dhe paketa all inclusive, gjëja tjetër që na vjen në mend është pazari. Rreth e rrotull destinacioneve kryesore kanë lulëzuar me mijëra tezga e dyqane që shesin gjithçka, nga rrobat tek ushqimet tradicionale, nga stolitë e punuara me dorë e deri tek tapetet e perdet.
Nga kjo strategji kanë përfituar njëtrajtshmërisht si pronarët e mëdhenj të turizmit, ashtu edhe tregtarët më të varfër, duke i mbajtur këto destinacione në krye të listave botërore dhe duke gjeneruar shumë të ardhura për ekonominë. Nëse sot Durrësi dhe Saranda janë të dyndura nga turistët e paketave luksoze, këto qytete nuk u ofrojnë atyre mundësitë për të shpenzuar më tepër para, në mungesë të një pazari të mirëorganizuar. Pazare të tilla mungojnë edhe në Tiranë e kudo tjetër në vend, ndërsa ato ekzistues janë shumë të veçuar për të huajt. Edhe nëse ka nga ata që krijimi i tregjeve të stilit “Grand Bazaar” u duket shumë oriental, mjafton të kujtojmë se pazaret në rrugë gjenden edhe në mes të Parisit, Londrës (Camden Lock), Venecias (Rialto) dhe Berlinit.
Angelo HARUNI/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.