Turqi/ Inflacioni vjetor rritet me 36% – Niveli më i lartë që nga vitit 2002, ndikon kriza e lirës
Inflacioni vjetor në Turqi u rrit me 36.08%, gjatë dhjetorit të vitit 2021, shumë më tepër se parashikimet e analistëve dhe niveli më i lartë që nga shtatori i vitit 2002, duke reflektuar rënien e lirës gjatë vitit të kaluar. Me bazë mujore, inflacioni u rrit me 13.58%, ndërsa analistët e anketuar nga Reuters parashikonin një rritje prej 9%. Pas publikimit të të dhënave, lira turke u tregtua pranë 13.6 në raport me dollarin amerikan. Gjatë vitit që sapo u mbyll, ndërkohë, lira humbi rreth 44% të vlerës, ndërsa paqëndrueshmëria më e madhe ishte në nëntor dhe dhjetor.
Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 19.08% me bazë mujore, gjatë dhjetorit, dhe me 79.89% me bazë vjetore, duke reflektuar rritjen e çmimeve të importit si pasojnë e zhvlerësimit të monedhës. Edhe në këtë rast, kemi të bëjnë me nivelin më të lartë që nga shtatori i vitit 2002, përpara se partia AK e presidentit Erdogan të vinte në pushtet. Çmimet e konsumit u ndikuan nga kostot më të lartë të transportit, që u rritën me 53.66% me bazë vjetore, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe pijeve u rritën me 43.8%.
Inflacioni në Turqi ka qëndruar në rreth 20% në muajt e fundit, i ndikuar nga zhvlerësimi i lirës në nivele të ulëta rekord, pas vendimit të Bankës Qendrore të Turqisë për të ulur normën bazë të interesit me 500 pikë bazë, nën presionin e presidentit Erdogan. Banka Qendrore ka thënë se faktorë të përkohshëm po i nxisin çmimet për lart dhe parashikoi se inflacioni do të ndiqte një kurs të paqëndrueshëm në terma afatshkurtër. Lira preku një rekord prej 18.4 përballë dollarit amerikan në dhjetor, përpara se të stabilizohej në intervalin nga 12 deri në 14, menjëherë pasi Erdogan njoftoi një skemë për të mbrojtur depozitat në lira.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.