Turqia shkarkon guvernatorin e Bankës Qendrore
Turqia të shtunën shkarkoi guvernatorin e saj të bankës qendrore duke thelluar diferenca e politikave midis qeverisë dhe bankës, në një përshkallëzim të përkeqësimit ekonomik, luhatshmërisë në monedhën lira dhe rritje të inflacionit. Murat Cetinkaya, i cili ka shërbyer si guvernator që nga prilli i vitit 2016, u hoq nga roli i tij dhe u zëvendësua nga Murat Uysal, sipas një dekreti presidencial të botuar në gazetën zyrtare.
Asnjë arsye zyrtare nuk është dhënë për shkarkimin, por tregjet kanë spekuluar gjatë javëve të fundit se Cetinkaya mund të jetë larguar nga qeveria për shkak të ngurrimit të tij për të ulur normat. Banka qendrore është përballur me presion në të kaluarën nga presidenti Tayyip Erdogan për të ulur normat e interesit për të ringjallur një ekonomi e cila u rrëzua në recesion në fillim të vitit. Ekonomia turke u tkurr në mënyrë të ndjeshme për tremujorin e dytë në fillim të vitit 2019, ku kriza e monedhës, rritja e inflacionit si dhe normat e larta të interesit rënduan mbi prodhimin e përgjithshëm.
“Presidenti Erdogan ishte i pakënaqur me normën e interesit dhe ai shprehu pakënaqësinë e tij në çdo rast. Vendimi i bankës në qershor për të mbajtur norma konstante shtoi problemin me Cetinkaya, “tha një zyrtar i lartë i qeverisë për Reuters. “Erdogan mbetet i vendosur për të përmirësuar ekonominë dhe për këtë ai ka marrë vendimin për të hequr Cetinkaya”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti. Dy burime të tjera qeveritare thanë për Reuters, se ndryshimet midis qeverisë dhe guvernatorit mbi zhvillimin e politikës monetare janë thelluar gjatë muajve të fundit. “Dallimi i opinioneve midis guvernatorit dhe ministrave përgjegjës për ekonominë është thelluar në periudhën e fundit”, tha një nga burimet.
Cetinkaya kishte rritur normën e interesit bazë me një total prej 750 pikë bazë, vitin e kaluar për të mbështetur lirën, TRYTOM = D3, duke e shtyrë atë në 24% deri në shtator, e cila ka mbetur e pandryshuar që prej atëherë. Erdogan, dhëndri i të cilit është ministri i financave dhe i thesarit, kritikoi në mënyrë të përsëritur bankën qendrore për mbajtjen e normave të larta. “Presidenti dhe ministri i financave kërkuan dorëheqjen e tij, por Cetinkaya kujtoi pavarësinë e bankës dhe nuk pranoi të japë dorëheqjen”, tha burimi tjetër. Në një deklaratë të shtunën, banka qendrore tha se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe se guvernatori i ri do të përqendrohet në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve si objektivin e saj kryesor. (Reuters)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.