TVSH dhe fatura tatimore – DPT: Ja në cilat raste përmbushen kushtet ligjore
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vënë në dijeni tatimpaguesit se TVSH-ja lind kur përmbushen kushtet ligjore të domosdoshme për të kërkuar këtë tatim. Me përmbushjen e këtyre kushteve, shpjeguar më poshtë, autoriteti tatimor ka të drejtë që t’ia kërkojë tatimin mbi vlerën e shtuar, personit përgjegjës që ngarkohet nga ligji për ta paguar.
DPT njofton se kushtet ligjore për lindjen e TVSH-së, përmbushen kur
- Kryhet furnizimi i mallrave ose shërbimeve
- Kryhen pagesa pjesore ose pagesa të njëpasnjëshme për furnizimet e mallrave, ose të shërbimeve, por furnizimi i mallrave ose shërbimeve, faktikisht nuk është kryer. Këto furnizime mallrash ose shërbimesh konsiderohen të kryera në përfundim të çdo periudhe, së cilës i referohen pagesat
- Furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të kryera në mënyrë të vazhdueshme, brenda një periudhe kohore, përfshirë operacionet e ndërtimit, konsiderohen të kryera në të njëjtin muaj, në të cilin lëshohet fatura në përputhje me pikën 5, të nenit 99, të Ligjit
- Për çdo pagesë të kryer para se të kryhet furnizimi i mallit, ose para përfundimit të furnizimit të shërbimit, TVSH-ja mbi pagesën lind dhe bëhet e kërkueshme në momentin e arkëtimit të shumës së paguar
- Si rregull i përgjithshëm, fatura lëshohet në momentin e furnizimit të mallit ose shërbimit, por, në rastin kur fatura tatimore është lëshuar përpara furnizimit, TVSH-ja bëhet e kërkueshme në momentin kur është lëshuar fatura. Detyrimi për të lëshuar faturë në furnizimin e mallrave ose shërbimeve
Sipas njoftimit, personi i tatueshëm që kryen një furnizim mallrash ose shërbimesh, detyrohet të lëshojë një faturë për atë furnizim si më poshtë:
- në momentin e furnizimit të mallit ose shërbimit
- kur mallrat janë lëvruar, ose kur ato bëhen të disponueshme
- në momentin kur shërbimet janë kryer
- fatura mund të lëshohet në mënyrë periodike për disa furnizime mallrash ose shërbimesh, të cilat furnizohen në mënyrë të rregullt ose të vazhdueshme, të realizuara midis personit të tatueshëm dhe klientit të tij në të njëjtin muaj, në të cilin furnizimet janë kryer. Gjithashtu në ndërtim, fatura tatimore duhet lëshuar çdo muaj
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.