TVSH-ja për hotelet, Ballesha: S’jemi njohur me draftin. Biznesi të pyetet për ndryshimet ligjore
Qeveria duhet të konsultohet me biznesin para se të vendosë për uljen e pragut të TVSH-së së restoranteve dhe pijeve në hotele, në mënyrë që të shmangen problemet në zbatimin e legjislacionit të ri”.
Kërkesa vjen nga kryetarja e Forumit Kombëtar të Biznesit, Esmeralda Ballesha e cila komentoi për TV SCAN draftin e ri të qeverisë për lehtësimin fiskal të hoteleve.
Sipas Balleshës, sektori i turizmit është më i prekuri nga ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit, çka krijon probleme në zbatimin. Po ashtu, sipas saj ende organizatat e biznesit nuk janë njohur me draftin e qeverisë, pavarësisht ligjit “Për konsultimin publik”.
Pak ditë më parë, këshilltarja e ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Alketa Knuti bëri me dije se qeveria po planifikon të aplikojë një shkallë të reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për restorantet dhe pijet joalkoolike në hotele në masën 6%.
Kjo masë lehtësuese vjen pas asaj të një viti më parë, që parashikoi një uljen e TVSH-së për akomodimin nga 20 në 6%, duke e çuar në të njëjtat nivele me vendet e rajonit dhe Evropës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.