TVSH-ja për turizmin – Ulja në 6%, efekti negativ në buxhet 1.1 mld lekë
Kërkesa e përsëritur e biznesit për të ulur TVSH-në në sektorin e turizmit duket se gjeti konkretizim së fundmi me një vendim të qeverisë. Por ajo që habit në draftin e hartuar nga Financat dhe miratuar nga qeveria është efekti modest negativ në buxhet që do të ketë ulja me 14 % e barrës fiskale për strukturat akomoduese.
Sipas relacionit shoqërues të draftit efekti vlerësohet të jetë 1.1 miliardë lekë. Pritshmëria e qeverisë për këtë hap të hedhur është që të kemi një rritje të konkurrueshmërisë në raport me rajonin e cila do të përkthehet në një përfitim ekonomik më të lartë.
Një ditë më parë biznesi e përshëndeti këtë vendim të qeverisë duke theksuar se do të ketë edhe pasqyrim në çmim, diçka që në fakt nuk ka ndodhur me asnjë ulje takse të aplikuar nga qeveria. Kjo ndoshta ka bërë që edhe vetë hartuesit të parashikojnë një seri zhvillimesh pozitive me përjashtim të uljes së çmimeve.
“Me qëllim incentivimin e këtij sektori, ulja e barrës fiskale vetëm për akomodimin në strukturat akomoduese, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fushën e turizmit, do të sjellë efekte pozitive, konkretisht, përmirësimin e shërbimit dhe të cilësisë, do të nxisë rritjen e numrit të turistëve, krijimin e vendeve të reja të punës” thuhet në realcion.
Drafti pritet që shumë shpejt të kalojë hallkat e miratimit duke hyrë në fuqi në prag të sezonit turistik veror. Lexoni relacionin e plotë duke klikuar këtu
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.