TVSH për energjinë – Studimi për direktivën, ja si paraqitet Shqipëria
Shqipëria duket se e ka harmonizuar siç duhet legjislacionin e saj për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar e lidhur me aktivitetin energjetik.
Në një studim të publikuar së fundmi nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë thuhet se pjesa më e madhe e ligjit është e përputhur me direktivën, por sërish ka vend për disa amendime.
“Legjislacioni shqiptar ka zbatuar rregullat dhe përkufizimet kryesore në mënyrë që të jetë i harmonizuar me Direktivën për TVSH-në të Bashkimit Europian edhe pse ka disa dallime. Ligji shqiptar i TVSH përdor normën zero të kësaj takse në eksport kurse BE-ja përdor përjashtimin. Mekanizimi i kundërt i faturimit aplikohet dhe përmendet në rregullat e faturimit të TVSH-së, por nuk është zbatuar për të parandaluar rastet e mundshme të mashtrimit me këtë skemë” thuhet në raport.
Pikërisht për këtë pjesë raporti propozon që Ministri i Financës të hartojë një raport mbi aktivitetet e mundshme të mashtrimit në territorin e Republikës lidhur me furnizuesit e gazit dhe të energjisë elektrike.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.