U mbyllën shkollat gjatë Gripit Spanjoll? Studimet: Pezullimi zbuti efektet, mund të ketë reduktuar infeksionin 15%, rastet e rënda 40%
Dilema për hapjen apo jo të shkollave nën Pandeminë Covid 19 po mundon aktualisht shtetet në të gjithë botën. Shkak për të cilin, gjithnjë e më shumë studiues po analizojnë shifrat e disponueshme për efektet e mbylljes së shkollave gjatë Gripit Spanjoll në vitet 1918 – 1919. Edhe në atë kohë, vendimi për hapjen apo mbylljen e shkollave është shoqëruar me debate të shumta e me kundërshti të forta. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 43 qytete mbyllën tërësisht shkollat gjatë fazës më të rëndë të Gripit Spanjoll, megjithëse qendra të mëdha si Nju Jorku e Cikago vendosën t’i mbanin hapur edhe gjatë tetorit 1918, muaji më vdekjeprurës i kësaj pandemie.
Por ç’thonë ekspertët bazuar në të dhënat e një shekulli më parë? Portali Amerikan Health Affairs arrin në përfundimin se mbyllja e shkollave gjatë një pandemie mund të kontribuojë për reduktimin e të prekurve deri në 15%, ashtu si dhe pakësimin deri në 40% të rasteve të rënda. Por që gjithsesi, mbyllja e tyre nuk mund të sjellë zhdukjen e pandemisë, por në rastin më të mirë t’u japë komuniteteve kohë të cmuar për aplikimin e antiviralëve dhe distribuimin masiv të vaksinave.
Portali shkollor amerikan “Education Week” i referohet një raporti qeveritar të analizuar nga studiuesit e Qendrës së Historisë së Mjekësisë në Univeristetin Mjeksor të Miciganit. Studiuesit arrijnë në përfundimin se mbyllja e shkollave në momentet e hershme të pandemisë dhe për kohë të konsiderueshme zbutën efektet e Gripit Spanjoll. Sipas tyre, qytetet që zbatuan më herët masat jo mjekësore si mbyllja e shkollave apo ndalimi i grumbullimeve publike patën vdekshmëri më të ulët, si dhe përhapje më të reduktuar se qytetët që vendosën të bënin këtë pasi pandemia kishte avancuar.
Studimi konkludon se mbyllja e shollave është një prej masave më rezultative që mund të ndërmarrë një qytet, ndërkohë që është një veprim mjaft i lehtë për t’u bërë, pasi qëllon shpesh që shkollat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbyllen për shkaqe natyrore, sicc mund të jetë një stuhi dëbore, ndërkohë që është shumë më e vështirë të detyrosh njerëzit të mos grumbullohen.
Ndërkohë që këndvështrim tjetër sjell Portali “History Channel”, i cili analizon të dhënat e Gripit Spanjoll në Nju Jork e Ccikago, dy metropolet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përkundrejt gjasave vendosën t’i mbanin hapur dyert e shkollave.
Në atë kohë sistemi publik i Nju Jorkut numëronte rreth 1 milionë nxënës, me banim kryesisht në qendra të mbipopulluara. Për t’u shënuar është që rreth 30% e prindërve nuk i çuan fëmijët në shkollë në fillim të muajit tetor, ndërsa në fund të tij, kjo shifër u rrit në 50%. Gjithsesi, Nju Jorku pati rezultatete relativisht të kënaqshme në përballimin e pandemisë, kryesisht falë qetësisë psikologjike që i siguroi banorëve falë aplikimit të masave të moderuara shtrënguese.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.