U “shkurorëzuan” 26 milionerë në ditë, Credit Suisse: Në Shqipëri 1100 njerëz në 24 orë dolën nga varfëria
Ajo që u vu re më së shumti nga raporti i pasurisë globale i Credit Suisse është pikërisht tkurrja e ndjeshme e numrit të të pasurve.
Ata që kanë një pasuri financiare nga 100 mijë deri në 1 milion dollarë, kanë pësuar rënie të ndjeshme në një vit, më shumë se përgjysmim, nga 0.7% e popullsisë në vitin 2016, në vetëm 0.3% të popullsisë së rritur këtë vit.
Rezultonte se, vjet kishte 16100 shqiptarë me një pasuri të tilllë. Në raportin e fundit, rezulton se shqiptarët e rritur, me një pasuri mes 100 mijë dhe 1 milion dollarë janë vetëm 6528 të tillë.
Pra, kemi të bëjmë me një rënie të numrit të milionerëve me plot 9572 në harkun e një viti. Në terma më të thjeshtuar, rezulton se, çdo 24 orë, mesatarisht 26 njerëz kanë dalë nga lista e të pasurve në vendin tonë, për të zbritur një ose dy kategori më poshtë.
Nga krahu tjetër, kemi shtresën e mesme, e cila është fryrë nga 26%, në thuajse 40%. Pra, këtë vit, sipas Credit Suisse, numërohen 877 mijë shqiptarë mbi 18 vjeç me një pasuri nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë.
Një vit më parë kishte vetëm 600 mijë të tillë, çka do të thotë se në një vit, të paktën 270 mijë shqiptarë janë pasuruar, duke dalë nga varfëria.
Një pjesë e vogël i takon milionerëve të shkurorëzuar. Sa i përket të varfërve, në vitin 2016, ata ishin 1.697.000. Sot, Credit Suisse thotë se, janë vetëm 1.290.000, pra 407 mijë më pak, se një vit më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.