U shpenzuan 48 mln USD më shumë për pagat – 8-mujori, “fluturojnë” pagesat për sigurimet shoqërore
Buxheti i shtetit rriti ndjeshëm shpenzimet në 8 muajt e parë të vitit, krahasuar më të njëjtën periudhë të 2020-ës. Sipas treguesve zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet totale në 8 mujor u regjistruan në afro 355.3 miliardë lekë , me një rritje prej 31.1 miliardë lekësh nga periudhë Janar-Gusht e viti të kaluar.
Po të analizojmë shifrat më në detaj, vihet re se kapërcimin më të madh e kanë pasur shpenzimet korrente, me 25.5 miliardë lekë më shumë. Vetëm për pagat e personelit të administratës publike dhe kontributet e sigurimeve shoqërore janë paguar në 8 muaj, 55.2 miliardë lekë nga 50.4 miliardë lekë që u paguan në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 4.8 miliardë lekë. Ndërkohë që 3.3 miliardë lekë më shumë janë paguar për interesa për shkak të rritjes së borxhit publik, ndërsa me 4.7 miliardë lekë janë rritur shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes.
Po ashtu një shumë e konsiderueshme në rritje prej 15.6 miliardë lekësh ka shkuar për shpenzime të sigurimeve shoqërore, që mbulojnë gropën në pensione por edhe pagesat e lejeve të lindjeve, si dhe për sigurime shëndetësore. Nga ana tjetër, investimet janë rritur me vetëm 1.8 miliardë lekë. Në raport me planin e këtij viti shpenzimet e përgjithshme janë realizuar në masën 94.9 përqind.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.