U vaksinua 10 herë brenda ditës – Paguhej nga persona që donin certifikatë vaksinimi pa marrë asnjë dozë
Autoritetet shëndetësore të Zelandës së Re kanë hapur një hetim mbi historinë e pabesueshme të një burri që dyshohet se u vaksinua kundër Covid 10 herë brenda ditës. Sipas faqes së internetit të Stuff, burri u pagua nga disa persona anti vaksina për t’u imunizuar në vend të tyre dhe për të marrë një certifikatë vaksinimi.
Në fakt, në Zelandën e Re një dokument identiteti nuk tregohet në momentin e vaksinimit. Ministrja e Shëndetësisë Astrid Koornneef tha se ajo e merr çështjen shumë seriozisht.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë pozicion dhe po punojmë me agjencitë përkatëse. Një status i pasaktë i vaksinimit ju vë në rrezik ju, miqtë, familjen, komunitetin dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor, të cilët mund t’ju trajtojnë në të ardhmen”, paralajmëroi ajo.
Rreth 89% e popullsisë së Zelandës së Re është plotësisht e vaksinuar. Në shumë vende publike kërkohet ekspozimi i certifikatës së vaksinimit.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.