Ujësjellësat në monitorim- Raportim për 200 tregues pranë Entit Rregullator të Ujit
Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve do të duhet të raportojnë çdo 6 muaj pranë Entit Rregullator të Ujit sipas një platforme me mbi 200 tregues të miratuar së fundmi nga ky dikaster.
Qëllimi i vendimit të Entit është vendosja e një kuadri rregullator për monitorimin, vlerësimin dhe krahasimin e performancës së shoqërive ujësjellës-kanalizime në veçanti dhe sektorit ujësjellës-kanalizime në tërësi.
Ndërkohë që, ai vjen në një kohë kur shumë prej shoqërive UK performojnë negativisht, ndërsa vetë ERRU ka vlerësuar se reforma e lancuar disa herë në këtë sektor nuk po jep rezultate.
Sipas Entit, mbulimi i furnizimin me ujë u përkeqësua me 0.09% gjatë vitit 2018, ndërkohë që mbulimi me kanalizime pësoi përmirësim me 1.4% në krahasim me një vit më parë.
Nisur nga kjo situatë, edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, brenda 6-muajsh ka ndryshuar 2 herë metodologjinë që përdoret për subvencionimin e ujësjellësve nga buxheti i shtetit.
Sipas udhëzimit të fundit, që mban datën 2 prill është hequr ndarja specifike për përdorimin e fondit, e cila më parë shkonte 40% për mbulimin e kostove direkte të operimit dhe 60% për nxitjen e performancës së shoqërive.
Ndërkaq, në udhëzimin e ri, pavarësisht se kjo ndarje është hequr, përcaktohet se subvencioni i përfituar për mbulimin e kostove direkte të operimit, në masën 50% të tij duhet të shkojë për të paguar faturat e energjisë elektrike.
Gjithashtu, një pjesë e tij duhet të shkojë për mbulimin e kostove të pajisjen me matësa të familjeve që u përkasin kategorive në nevojë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.