Ujësjellësi i Himarës, fillojnë përgatitjet e projektit – Do të përfitojnë rreth 50 000 banorë e turistë
Ka nisur puna përgatitore për ndërtimi e një ujësjellësi të ri që do të furnizojë më ujë qytetin e Himarës dhe fshatrat e saj. Nga ky investim do të përfitojnë rreth 50 000 banorë dhe turistë që frekuentojnë zonën.
Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili është edhe zbatuesi i këtij projekti në këtë fazë po hartohet studimi i fizibilitetit të ndërtimit të ujësjellësit.
Në këtë kuadër, inxhinierët e FSHZH-së së bashku me një mision ekspertësh gjermanë zhvilluan takime dhe vizita në terren për vlerësimin e gjendjes aktuale të sistemit të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të ndotur në Bashkinë e Himarës dhe bashkinë e Vlorës.
Marrëveshja e financimit për këtë projekt pritet që të nënshkruhet brenda këtij viti.
Gjatë ndalesës në Orikum, një zonë e cila vuan prej kohësh mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm u bë një vlerësim i situatës aktuale ku u shqyrtuan mundësitë për financiar vënien në punë të impiantit të ujërave të zeza. Ky i fundit ka përfunduar që prej vitit 2015 por nuk është ende funksional.
Ndërkohë, gjatë vizitave në terren, misioni i ekspertëve vizitoi stacionin ekzistues të pompimit të ujërave të ndotura, hapësirë ku është parashikuar të ndërtohet impianti i Himarës.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.