Ujësjellësi i Lezhës – Përfundon rehabilitimi. Investimi kap vlerën 13.25 mln euro
Përfundon rehabilitimi tërësor i rrjetit të ujësjellësit të Lezhës, gjë e cila i siguron këtij qyteti dhe fshatrave përreth furnizim 24 orë me ujë të pijshëm. Investimi për rehabilitimin e rrjetit kapi vlerën prej 13.25 milionë eurosh, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane, Bankën Gjermane për Zhvillim dhe Bashkimit Europian. Në inaugurimin e rrjetit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama i cili garantoi vazhdimin e investimeve duke theksuar se ato do të mbështetjen mbi performancën dhe ecurinë e reformës së ujit.
“Me shumë respekt për punën e kryer nga Ndërmarrja e re e Ujësjellësit, një nga shembujt pozitivë që kemi në territorin e Shqipërisë përsa i përket ndarjes së politikës nga logjika e shërbimit për konsumatorin, dua t’i siguroj të gjithë banorët e Lezhës, pa dallim, se ne do vazhdojmë këtë punë. Por ndërkohë dua po ashtu që të rinënvizoj domosdoshmërinë që sëbashku, qeveria, bashkia, ndërmarrja të çojmë përpara reformën, sepse, nëse ky investim është bërë sot, por nuk mbështetet financiarisht, në kuptimin e pasjes së një bilanci të shëndetshëm të përvitshëm, duke paguar të gjithë ata që konsumojnë, atëherë jo vetëm që nuk shkojmë dot më tutje, për ta përfshirë të gjithë hartën e bashkisë së re në furnizimin 24 orë, por përkundrazi do të humbasim hap pas hapi edhe vetë këtë investim kaq të çmuar që është bërë,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama ritheksoi apelin drejtuar qytetarëve, por veçanërisht bizneseve të mos abuzojnë me ujin e pijshëm dhe të deklarojnë brenda muajit janar lidhjet e paligjshme me rrjetin.
“Edhe njëherë tjetër ju bëj thirrje të gjithë atyre që vazhdojnë të vjedhin ujin, që të përfitojnë nga muaji janar të shkojnë te ndërmarrja të bëjnë kontratën e ligjshme, të bëjnë lidhjen e ligjshme dhe të marrin matësin. Pas 1 Shkurtit nuk do ketë më asnjë tolerancë, nuk do ketë më asnjë lloj kompromisi, por kush do kapet që vjedh ujin do penalizohet sipas ligjit, duke filluar që na bizneset e mëdha. Në mes të Tiranës ne kemi sot, hotele që deklarojnë se furnizohen me pus dhe në fakt vjedhin ujin nga tubi i ujësjellësit. Po kështu ka në Lezhë, në Vlorë, ka në të gjithë territorin. Turpi i dheut! Në mbledhje kemi kaluar edhe masën e subvencionit. Për të gjithë familjet në nevojë që janë me ndihmë ekonomike, ne do të subvencionojmë ujin dhe matësit do të bëhen falas se do i subvencionojë qeveria. Ama të tjerat nuk do të tolerohen. Është e pafalshme që me ujë të pijshëm të vadisim bahçen e me ujë të pijshëm të marrim shërbim dhe faturën t’ua lëmë të tjerëve, fëmijëve dhe të ardhmes, siç është lënë 20 e kusur vite. Ne nuk do financojmë asnjë projekt për ndërmarrje që dalin me humbje dhe nuk do të mbështesim asnjë bashki që nuk performon në reformë”, tha Rama.
Të pranishëm ishin edhe zëvendës ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holstein dhe ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf të cilët garantuan mbështetjen e plotë në reformën e ujit duke i vlersuar masat e marra për t’i dhënë fund informalitetit. Investimet do të vazhdojnë me përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë dhe në 7 bashki në jug të vendit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.