Ukraina gati për bisedime mbi tregtinë e lirë me Shqipërinë – Marrëveshja pezull që prej 2010-ës
Pala ukrainase duket se është gati të intensifikojë marrëdhëniet dhe të zgjerojë dialogun politik me Shqipërinë, duke nënshkruar marrëveshjen për tregtinë e lirë me Shqipërinë.
Ministrja e Ukrainës për Integrimin Europian dhe Euro-Atlantik, Ivanna Klympush-Tsintsadze, i ka bërë deklaratat gjatë takimit me ministrin e shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili ndodhet atje për një vizitë zyrtare.
“Pala ukrainase është gati të analizojë mundësitë e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë, si pjesë e komisionit dypalësh ndërqeveritar mbi bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Drafti mbi këtë komision u dorëzua nga pala Shqiptare në Nëntor 2010 për shqyrtim të mëtejshëm. Ky komision, për të cilin po vazhdon puna për ngritjen, duhet të jetë një bazë e mirë për nisjen e negociatave mbi krijimin e një zone të lirë tregtare mes Ukrainës dhe Shqipërisë”, citohet Klympush-Tsintsadze në portalin qeveritar ukrainas.
Majko, ndërkohë, u shpreh se intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh është shumë i rëndësishëm, për shkak të rritjes së volumit të tregtisë dhe faktit që gjithmonë e më shumë ukrainas po zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik.
Ministri i shtetit për Diasporën gjithashtu tha se Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit që mbështesin pa dyshim Ukrainën ndaj agresionit rus. Në Ukrainë jetojnë rreth 3500 shqiptarë, të përqendruar kryesisht në jug të vendit, prandaj dhe Majko kërkoi ngritjen e një departamenti gjuhësor.
Kjo vizitë pritet të pasohet nga ajo e ministrit të jashtëm Ditmir Bushati në Ukrainë më 22-23 Shkurt.
Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën Janar-Nëntor 2017, vendi eksportoi mallra në vlerën e 452 milionë lekëve, ndërsa importoi nga Ukraina mallra në vlerën 2.9 miliardë lekë, kryesisht metale, fertilizatorë, vajra dhe yndyrna, si edhe ushqime. Kjo nënkupton një deficit tregtar të Shqipërisë në rreth 2.4 miliardë lekë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.