Ukraina na fut në listën e kuqe – Kievi vendos karantinën, Prishtina tamponin, por me kusht reciprocitetin
Me 67.52 raste infeksionesh të reja për 100 mijë banorë, Shqipëria është përfshirë në listën e kuqe të Ukrainës sa i përket zonave të rrezikut të lartë nga covid-19. Ky vendim e bën të detyruar për shtetasit nga Ukraina që vizitojnë Shqipërinë që të bëjnë një karantinë 14-ditore me t`u rikthyer në vendin e tyre. Vendimi godet turizmin shqiptar duke qenë se gjatë viteve të fundit, turistët nga ky vend po rriteshin me ritme të shpejta.
Ndërkohë, në mbledhjen më të fundit të qeverisë së Kosovës, kjo e fundit, mes masave të reja të ndërmarra për të frenuar përhapjen e Covid-19, ka vendosur edhe atë të ndalimit të futjes së shtetasve nga Shqipëria në Kosovë, pa tamponin që vërteton negativitetin nga virusi, të kryer brenda 72 orëve të fundit. Ky vendim vlen edhe për shtetasit e Shqipërisë të cilët kanë leje qëndrimi të rregullt në Kosovë.
Masa fillimisht dukej e paqartë dhe absurde për faktin se përmendet reciprociteti, ndërkohë që shtetasve nga Kosova që vizitojnë Shqipërinë nuk i`u kërkohet përgjigja e tamponit. Por për të shuar paqartësitë, ka menduar ministri i shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, i cili ka njoftuar se pas takimit me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, i ka sqaruar këtij të fundit se vendimi nuk vlen për sa kohë që Shqipëria nuk e ka këtë masë për shtetasit nga Kosova.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.