UKT, furnizim 24 orë për Yzberishtin, Kamzën, Bathoren, etj. – Eliminohen stacionet e pompimit
Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka hapur procedurat për ndërtimin e linjës së transmetimit të ujësjellësit nga Impiantin i Bovillës deri te rruga “Demokracia” në Kamëz. Projekti pritet të kushtojë rreth 180 milionë lekë dhe do të mundësojë furnizimin me ujë 24 orë të zonave të banuara të Yzberishtit, KodërKamzës, Bathores, Institutit Bujqësor dhe zonave përreth.
Mbi të gjitha, projekti do të realizojë heqjen nga puna të disa stacioneve të pompimit duke mundësuar furnizimin e pandërprerë për zonat që furnizohet prej tyre: Berxull, Laknas, Fushë Mëzez, Kashar, bizneset në të dy anët e Autostradës, Kombinat, Sharrë, Vaqarr, Misto Mame, Qyteti i Nxënësve, Selitë dhe Liqeni i Thatë. Sipas UKT, kostot e energjisë së stacioneve të pompimit zënë 19% të shpenzimeve operative të shoqërisë.
Financimi i këtij projekti është realizuar përmes huasë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Afati për kryerjen e punimeve të parashikuara është katër muaj pas lidhjes së kontratës me fituesin e tenderit.
Në të ardhmen, përmes realizimit të kësaj linje transmetimi synohen të evitohen mungesat në furnizimin me ujë për zonën në fjalë, siç ndodhi verën e kaluar. Objektivi i UKT është që përmes investimeve të realizojë furnizimin e pandërprerë për të gjithë Tiranën brenda vitit 2022.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.