Ulen kreditë me probleme – Sistemi bankar me fitim për 3-mujorin
Raporti i kredive me probleme ra lehtë gjatë muajit mars. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kreditë me probleme zbritën në 13.4% të totalit, nga 13.7% që kishin qenë për shkurtin.
Në tremujorin e parë të këtij viti, ky tregues nuk ka pësuar luhatje të rëndësishme, duke qëndruar në intervalin mes 13% dhe 14%. Ndonëse niveli i kredive me probleme ngelet ende i lartë, përpjekjet e viteve të fundit kanë dhënë rezultate të mira dhe ky tregues ka zbritur në nivelet e vitit 2011.
Ekspertët vlerësojnë se kjo rënie ka ardhur nga nxjerrja jashtë bilancit e kredive tashmë të humbura, nga përdorimi më i mirë i ristrukturimit, por edhe nga përmirësimi i cilësisë së kredisë së re dhe nga një funksionim më efikas i procedurave ligjore të ekzekutimit të kolateralit.
Ulja e kredive me probleme po jep reflektohet edhe në rezultatet financiare të sistemit bankar. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, fitimi i gjithë sektorit për tremujorin e parë të vitit ishte 4.8 miliardë lekë.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017, fitimet e bankave kanë rënë me rreth 16%. Të ardhurat e bankave nga interesat janë pothuajse në të njëjtin nivel me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa shpenzimet për provigjione kanë rënë akoma më shumë, çka tregon një përmirësim cilësor në portofolin e kredisë.
Rënia e fitimeve ka ardhur kryesisht nga humbjet prej instrumenteve financiare, por kjo lidhet kryesisht me standardet e reja të raportimit financiar që kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.