Ulen normat e interesit – Obligacionet 10 vjeçare e nisin në rënie edhe vitin 2020
Normat e interesit të instrumenteve të borxhit qeveritar e nisën në rënie edhe vitin 2020. Obligacionet me maturim 10 vjeçar, u emetuan në fillim të kësaj jave me një kupon prej 5.29%, në rënie nga niveli prej 5.53% i ankandit të fundit, në tetor të vitit të kaluar. Ministria e Financave siguroi pothuajse të plotë shumën e shpallur për financim, prej 4 miliardë lekësh.
Kërkesat për të blerë obligacione në ankand arritën në pothuajse 5.7 miliardë lekë, duke konfirmuar një interes të lartë të tregut për të investuar në titujt e qeverisë. Obligacionet 10 vjeçare, për shkak të maturitetit të gjatë, ofrojnë edhe kthime më të larta në raport me instrumentet e tjera të investimit financiar në monedhën vendase. Ato ngelen një investim shumë me interes për institucionet e orientuara te investimet afatgjata, si fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve.
Ankandi i parë i këtij viti konfirmon pritshmëritë për norma të ulëta interesi edhe gjatë këtij viti. Tregu financiar paraqitet likuid, ndërsa sinjalet e Bankës së Shqipërisë janë për një vazhdim të politikës monetare lehtësuese, madje pa përjashtuar ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit. Gjatë vitit të kaluar, inflacioni pësoi një rënie përtej parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, pranë nivelit mesatar 1.4%. Në këto kushte, rritja e normave të interesit, që mund të fillonte që nga mesi i këtij viti, pritet të jetë më e largët. Pasojat në ekonomi nga tërmeti i nëntorit mund të jenë gjithashtu faktor që do të diktojë ruajtjen e një çmimi të lirë të parasë nga Banka Qendrore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.