Ulen shpenzimet për borxhin – Qeveria paguan 24.1 miliardë lekë për 10 muaj
Lëvizjet jo të favorshme në tregjet ndërkombëtare gjatë viteve të fundit, si dhe për të “zbutur” sadopak risqet, ka bërë që qeveria shqiptare të orientojë huamarrjen drejt tregut vendas. Kështu referuar treguesve zyrtarë të borxhit publik, vihet re se peshën kryesore e mban huamarrja e brendshme.
Por gjithashtu dhe shpenzimet për interesat janë ulur në krahasim me një vit më parë. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, rezulton se për këtë periudhë shpenzimet për interesa nga buxheti i shtetit kapin vlerën e 24.1 miliardë lekëve, nga të cilat 18.1 miliardë lekë për interesa të brendshme dhe 6 miliardë lekë për interesa të jashtme.
Ndërkohë për të njëjtën periudhë të një viti më parë nga buxheti janë paguar 42.6 miliardë lekë, ose 18.5 miliardë lekë më shumë se këtë vit.
Për gjithë vitin buxhetor 2017 qeveria ka parashikuar një fond prej 37.9 miliardë lekë për shpenzime për interesa, ku për herë të parë është përfshirë një vlerë 4 miliardë lekë si kontigjencë për risqet e borxhit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.