Ulet çmimi i karburantit? – Rezerva e sigurisë nga shteti, Ministria: Kostot e biznesit ulen me 15%
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj, i cili synon krijimin dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, të cilat nevojiten në rast të reduktimit të papritur deri në mungesë të furnizimit të tregut me nënprodukte të naftës bruto.
I gjithë procesi, që aktualisht kryhet nga privatët, parashikohet të realizohet nga një agjenci shtetërore, ndërkohë që ndër të tjera saktësohet se të gjithë operatorët që operojnë në treg duhet të paguajnë pranë kësaj agjencie një tarifë, niveli i së cilës do të vendoset nga qeveria.
Ndërkaq, përmes një njoftimi për shtyp ministria sqaron se vendosja e kësaj tarife nuk do të ketë asnjë impakt në drejtim të rritjes së çmimit të karburantit, madje parashikohet një ulje e këtij të fundit. Sipas ministrisë, në ligjin ekzistues të rezervave të sigurisë, kërkohet që bizneset duhet të kenë 90 ditë tregu rezervë sigurie.
Ndërkohë që, me çmimet e sotme të tregut, kjo rezervë sigurie është e përfshirë në kostot e tregtarëve, duke zënë minimumi 25% të kostove të produktit të blerë nga ana e tyre. “Ajo që propozohet në ligjin e ri është që kjo kosto të ulet, sepse në totalin e rezervës së sigurisë në nivel kombëtar mund të përfshihet edhe nafta bruto, deri në 50% të rezervës, çka do të thotë që kostot aktuale do të ulen me mbi tre herë për këtë pjesë”,-thotë dikasteri i energjisë.
Gjithashtu, sipas ministrisë, duke qenë se mënyra e operimit do të përfshijë dhe naftën bruto, që është 3 herë më e ulët do të ulë kostot e përgjithshme të bizneseve në sektorin e hidrokarbureve me më shumë se 15%. Deri në datën 11 mars projektligji do të jetë për konsultim me publikun, ndërsa më pas do të duhet të kalojë në qeveri dhe parlament për miratim.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.