Ulet deficiti tregtar – Eksportet në rritje edhe gjatë tetorit
Bilanci tregtar i vendit u përmirësua përsëri gjatë muajit tetor. Instituti i Statistikave bën të ditur se deficiti tregtar gjatë muajit të kaluar ra me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 10-mujorin, deficiti tregtar i vendit ishte 263 miliardë lekë, rënie me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e deficitit tregtar nënkupton një kontribut më të lartë të sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike të vendit.
Eksportet shqiptare u rritën përsëri gjatë muajit tetor, duke ndihmuar në uljen e mëtejshme të deficitit tregtar të vendit. Eksportet e mallrave arritën vlerën 30 miliardë lekëve, duke u rritur me 21%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 10-mujorin, Shqipëria eksportoi mallra në vlerën e afro 262 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 16%. Eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji” u rritën me 37% krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar. Në gjysmën e parë të vitit, kjo i deyrohej sidomos eksporteve të mëdha të energjisë. Ndërsa në muajt e fundit, rritja e eksporteve të këtij grupi është kryesisht kontribut i lëndëve të para. Por, grupi që dominon gjithnjë e më shumë eksportet shqiptare është “tekstile dhe këpucë”, me eksporte në vlerën e 104 miliardë lekëve ose rreth 825 milionë euro. Fasonet po lulëzojnë më shumë se kurrë dhe sjellin mbi 40% të eksporteve totale të Shqipërisë.
Ndryshe nga sa parashikohej, importet po rriten me ritme të dobëta. Për tetorin, importet ato u rritën me vetëm 1% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar, importet janë rritur me më pak se 3%. Pjesërisht, rënia e importeve është ndikuar edhe mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit valutor. Në gjysmën e dytë të vitit ecuria e tregtisë së jashtme po rezulton edhe më e mirë se projeksionet e Bankës së Shqipërisë. Banka qendrore parashikonte një zgjerim të deficitit gjatë gjysmës së dytë të vitit, për shkak të rritjes së importeve dhe përmirësimit të kërkesës së brendshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.