Ulet dënimi për shkeljen e orës policore – Heqje patente e bllokim i mjetit për 30 ditë, ishte 3 vjet
Lehtësohen masat penalizuese për të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk zbatojnë ndalimin e qarkullimit të mjeteve në zonat dhe oraret e përcaktuara nga organet kompetente. Përmes një Akti Normativ, qeveria ka vendosur që për shkelja e orës policore drejtuesit e mjeteve të dënohen me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit për një periudhë prej 30 ditësh.
Ndërkohë që, deri më tani për këtë shkelje masat penalizuese të vendosura që prej marsit të vitit të kaluar, parashikonin dënimin me heqje të lejes së drejtimit për një periudhë 3-vjeçare dhe me bllokim të mjetit. Mësohet se gjatë periudhës mars 2020-mars 2021, vetëm në Gjykatën Administrative të Tiranës janë depozituar 160 ankesa për bllokimin 3 vjet të patentës. Sipas rekomandimit të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve qarkullimi në të gjithë vendin është i ndaluar nga ora 23:00 deri në orën 6:00, ndërkohë që nga data 1 Korrik, lëvizja kufizohet në fashën orare 24:00-6:00.
Ndërkaq, disa ditë më parë deputetit Myslim Murrizi kërkoi heqjen e masave administrative, sikurse janë gjobat, pezullimi i lejeve të drejtimit apo bllokimi i automjetit, të vendosura gjatë kohës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Murrizi ka dorëzuar edhe projektligjin në Kuvend, ndërsa në relacionin shoqërues shpjegon se nisma ka për qëllim të lehtësojë qytetarët.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.