Ulet kredia e re – Për tremujorin e parë u dha 7.5% më pak
Në deklaratat e fundit, Banka e Shqipërisë shprehet optimiste se kreditimi i ekonomisë po ecën me ritme më të larta këtë vit.
Statistikat tregojnë se që nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për ekonominë u rrit me rreth 14 miliardë lekë. E rregulluar për efektin e kursit të këmbimit dhe nxjerrjeve nga bilanci, në tremujorin e parë të këtij viti kredia u rrit me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po të shohim ecurinë progresive të portofolit, situata e kredidhënies duket në përmirësim.
Por, nëse krahasojmë vlerën e kredisë së re të dhënë gjatë këtij viti me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifrat nuk përcjellin të njëjtin optimizëm. Për tre muajt e parë të vitit, sistemi bankar dha rreth 50.2 miliardë lekë kredi, në rënie me 7.6% krahasuar me tremujorin e parë 2018. Rënia e kredisë së re, për pjesën që jepet në valutë, përfshin pjesërisht edhe efektin e mbi çmimit të lekut. Në fund të marsit 2019, leku u forcua me rreth 4% me bazë vjetore ndaj euros.
Përtej efektit të pjesshëm të kursit, është fakt se kredia e re këtë vit është në rënie. Kjo tregon se zmadhimi i portofolit të kredisë nuk shpjegohet edhe aq me faktin se këtë vit po japin më shumë hua, por me atë që maturimet dhe shlyerjet e kredive ekzistuese janë më të ngadalta. Përgjithësisht, në sistemin bankar shqiptar ka dominuar huadhënia afatshkurtër, për t’iu përgjigjur kërkesës së bizneseve për mjete qarkulluese. Ende sot rreth 30% e kredisë për ekonominë është me afat maturimi deri në një vit.
Kjo do të thotë se gati një e treta e portofolit duhet të rifinancohet çdo vit, në mënyrë që vlera e tij të mos bjerë. Por, gjatë viteve të fundit vërehet se bankat kanë rritur kredidhënien me afate të mesme dhe të gjata maturimi, kryesisht e lidhur me qëllime investimi. Në fund të marsit, kredia afatshkurtër ishte në rënie vjetore me 9%, ndërsa kredia afatmesme në rritje me 13% dhe ajo afatgjatë në rritje me 3%.
Këto të dhëna tregojnë që, megjithëse këtë vit po jepet edhe më pak kredi, së paku huadhënia është më e qëndrueshme në kohë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.