Ulet numri i aksidenteve gjatë Prillit, por vdekshmëria vazhdon të mbetet e lartë
Muaji Prill është mbyllur me 150 aksidente rrugore, nga ku janë shënuar 22 viktima dhe 168 të plagosur. Krahasuar me Prillin e vitit të kaluar, i cili shënoi 176 aksidente, treguesit janë në rënie me 14,8%.
Edhe numri total i të aksidentuarve është ulur në 190 persona, nga 222 në Prill 2016.
Shkak i këtyre aksidenteve në 91,3% të rasteve është bërë sjellja e gabuar e drejtuesve të mjetit, ku grupmosha e shoferëve 25-35 dhe 16-25 vjeç kanë qenë shkaktarët kryesorë.
Në total janë 277 aksidente gjatë periudhës Janar-Prill të shkaktuara nga këto grupmosha, nga 538 aksidente në total.
Shumica e këtyre aksidenteve kanë ndodhur në Tiranë (54), Durrës (24), Lezhë (19) dhe Elbasan (14). Megjithatë, në Fier, ndonëse ka patur vetëm 10 aksidente rrugore, ato kanë patur si pasojë vdekjen e 6 personave.
Këto qarqe kanë qenë më problematiket, sipas kësaj renditjeje, edhe në periudhën Janar-Prill
Numri i të aksidentuarve për 100 mijë banorë gjatë Prillit ishte afërsisht 7 persona, por ky numër do të rritet fatkeqësisht gjatë muajve të verës, të cilët shënojnë edhe numrin më të lartë të aksidenteve rrugore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.