Ulet paga mesatare – 51,500 lekë në tremujorin e parë të vitit
Paga mesatare në ekonomi ra lehtë në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, që i referohet të dhënave administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, paga mesatare mujore ishte rreth 51,500 lekë, rreth 800 lekë më pak krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, paga mesatare u rrit me 2400 lekë ose afërsisht 5%.
Sidoqoftë, duhet mbajtur parasysh se statistikat që mbështeten në të dhënat administrative mund të kenë marzhe pasaktësie, të lidhura me informalitetin në sektorin privat. Pagesat informale janë ulur në vitet e fundit, por ato ngelen të pranishme, sidomos për nivelet më të larta të pagave, ku kosto e deklarimit është më e madhe. Kjo është edhe një nga arsyet pse paga mesatare ngelet ndjeshëm më e lartë në sektorin publik. Sipas Instat, në shtet paga mesatare është rreth 61 mijë lekë në muaj, ndërkohë, në sektorin privat paga mesatare është rreth 23% më e ulët ose rreth 47 mijë lekë.
Sektorët me pagat më të larta në ekonomi janë shërbimet financiare dhe ato të informacionit dhe komunikimit, megjithëse të dy këta sektorë pësuan rënie të pagës mesatare në tremujorin e parë të këtij viti.
Në sektorin financiar, paga mesatare është rreth 100 mijë lekë në muaj, gati dy herë më e lartë se paga mesatare në ekonomi. Ndërsa në atë informacionit dhe komunikimit paga mesatare mujore është rreth 76 mijë lekë. Në fund të renditjes, puna më pak e paguar në Shqipëri është ajo në sektorin e bujqësisë dhe peshkimit, me rreth 38 mijë lekë në muaj.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.