Ulja e humbjeve në rrjet – OSHEE parashikon minimizim me 2% dhe 1.9 mld më shumë fitim
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike parashikon ta mbyllë këtë vit me një fitim prej 2.9 miliardë lekësh, apo me një rritje prej 1.9 miliardë lekësh më shumë se vitit 2017. Në planin e investimeve të OSHEE për periudhën 2018-2022, detajohet se fitimet në rritje për vitin aktual, mbështeten tek rritja e tarifës së OST me 0.1 lekë/kwh; rritja e tarifës së KESH me 0.05 lekë/kwh dhe rritja e tarifës së HEC-eve private me reth 1 lekë/kwh.
Nga ana tjetër, humbjet në rrjet janë parashikuar të ulen me 2% gjatë këtij viti, duke arritur nivelin më të ulët historik prej 24 %. Ndërsa të ardhurat nga kamatvonesat pritet të jenë në të njëjtin nivel me vitin 2017. Niveli i arkëtimeve për vitin 2018 është parashikuar 95 % në përputhje me tareget e planit të rimëkëmbjes së sektorit.
Ndërsa sa i takon investimeve, 8.7 miliardë lekë nga fondet e OSHEE do të shkojnë për rrjetin e shpërndarjes dhe 2 miliardë lekë do të investohen nga fondet e kredisë së akorduara nga Banka Botërore. Sipas të dhënave zyrtare të OSHEE për gjysmën e parë të vitit, niveli i humbjeve në rrjet u regjistrua në 25.4 %, ndërsa arkëtimet u rritën me 1.5 miliardë lekë krahasuar me 2017-ën.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.