Ulja e kredive me probleme – Ja si ka ndihmuar rritjen e fitimeve
Niveli i kredive me probleme këtë vit është në rënie të qëndrueshme, duke prekur nivelet më të ulëta prej vitesh. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në fund të qershorit ra në 15.6%, niveli më i ulët që nga mesi i vitit 2011.
Kjo ulje ka ndihmuar përmirësimin e rezultatit financiar të sistemit bankar, për shkak të reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve për provigjione. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6 mujorin e parë të vitit bankat shpenzuan më pak se 1.4 miliardë lekë për provigjione, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë kishin shpenzuar afro tre herë më shumë.
Në krahun tjetër, edhe të ardhurat e jashtëzakonshme, që kryesisht konsistojnë në të ardhura nga shitja e kolateraleve arritën në 1.5 miliardë lekë, afro katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këto shifra tregojnë qartë efektin që ka pasur përmirësimi i situatës së kredive me probleme në bilancet e sistemit bankar, duke qenë një ndër faktorët kryesorë që kanë rritur fitimet e sistemit. Për 6-mujorin e parë, sistemi bankar realizoi një fitim neto prej 11.5 miliardë lekësh, megjithatë, në vlerë, fitimet e larta janë të përqendruara kryesisht në pak banka të mëdha.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.