Ulja e nivelit të papunësisë – Ekspertët: Efekt pozitiv në ekonomi, ndikim sezonaliteti
Publikimi së fundmi i uljes së nivelit të papunësisë ka efekt pozitiv tek ekonomia, pasi ka ndikuar edhe sezoni turistik. Eksperti i Ekonomisë, Adrian Civici, u shpreh në një prononcim për TV SCAN, se ndikimi i këtij sektori është real, por gjithashtu ka patur efekt edhe aksioni ndaj informalitetit.
“Ka një kombinim të dy faktorëve edhe hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe një ndikim të madh procesi i formalizimit, sepse shumë kompani, shumë biznese të detyruara edhe nga presione për të formalizuar aktivitetin e tyre, kanë formalizuar një pjesë të madhe të fuqisë punëtore. Ndaj të dy efektet bashkë kanë bërë të mundur që përqindja e papunësisë të bjerë në nivelin 13.6 për qind, që ndërkohë vazhdon të jetë prap një papunësi e lartë pot ë kemi parasysh objektivin e qeverisë që në fund të këtij mandate do ta ulë me një shifër papunësinë. Elementi i dytë që binte në sy ishte ndikimi pozitiv i shërbimeve, sidomos i turizmit ku punësimi në këtë sektor kishte njohur rritje. Nga ana tjetër ka një zvogëlim të të punësuarve në bujqësi që mendoj se lidhet më tepër me largimet nga fshati, nga zonat rurale.”
Ndërsa eksperti Selami Xhepa, i sheh me skepticizëm statistikat, duke i konsideruar ato sezonale dhe të paqëndrueshme.
“Së pari duhet thënë që këto janë dinamika shumë afatshkurtra, janë sezonale, bartin brenda sezonalitet, mbartin brenda edhe efekte të politikave të përkohshme, kështu që në planin e përgjithshëm duhet thënë që problemi i punësimit apo i papunësisë vazhdon që të mbetet një nga shqetësimet më serioze edhe për faktin se dhe vetë ai që quhet punësim, shpeshherë është një punësim problematik, pra që nuk garanton një mirëqenie për qytetarët edhe pë rata që ajnë të punësuar. Megjithatë, duke parë dinamikat afatshkurtra, duket që tremujori i tretë ka patur një prirje më pozitive dhe kjo mund t’i atribuohet natyrisht edhe efektit sezonal, duke qenë se industria e turizmit është në bumin e vet dhe nga ana tjetër në dijen time, të paktën nga kontaktet që unë kam patur vetë me industrinë e turizmit, nga ana e qeverisë shpeshherë ka patur dhe detyrime që operatorët turistikë të siguronin më shumë të punësuar duke i bërë si të thuash në mënyrë të sforcuar nga pikëpamja administrative.”
Instituti i Statistikave raporton një rënie të nivelit të papunësisë në ekonominë shqiptare. Sipas anketës së forcave të punës, për tremujorin e tretë, shkalla e papunësisë ra në 13.6%, niveli më i ulët në pesë vitet e fundit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.