Unaza e Madhe, ARRSH kryen vlerësimin për 18 objekte të tjera
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vazhduar procesin e vlerësimit të banesave në kuadër të projektit për rehabilitimin e Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja. Inxhinierët e ARRSH-së ishin të pranishëm në objektet e pronarëve që kanë depozituar dosjet pranë institucionit dhe kanë kërkuar t’u nënshtrohen vlerësimeve dhe procesit të shpronësimit. Gjithsej sot janë kryer verifikimi i 18 objekteve.
Duke llogaritur dhe objektet e verifikuara ditën e djeshme, ARRSH konstaton, se janë vlerësuar 58% e totalit të atyre që deri më tani kanë dorëzuar dokumentet në ARRSH. Ndërkaq, në ditët e ardhshme do të vazhdojë ky proces verifikimi për të gjithë banorët që depozitojnë dosjet.
“Gjejmë rastin edhe një herë t’u bëjmë thirrje edhe banorëve të tjerë që disponojnë dokumente pronësie, t’i depozitojnë ato pranë zyrave përkatëse në Autoritetin Rrugor Shqiptar në mënyrë që të vazhdohet pa vonesa me vlerësimin, evidentimin, bërjen gati të Vendimit të Këshillit të Ministrave për procedurën e shpronësimit të tyre”, thuhet në njoftimin e ARRSH.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.