UniCredit përballë Societe Generale – FT: Në bisedime për shkrirje. Rritet vlera në treg e bankave
Banka më e madhe në Itali, Unicredit, ndodhet në bisedime për shkrirje me gjigantin francez Societe Generale, diçka që mund t’i japë nxitje këtij aktiviteti te bankat europiane, sipas prestigjiozes Financial Times. E përditshmja britanike thekson se, kreu ekzekutiv i UniCredit, Jean Pierre Mustier, ish drejtori i bankingut të investimeve te Societe Generale, ka muaj që zhvillon këtë ide.
Edhe pse asnjë qasje formale nuk është bërë publike, drejtorët e Societe Genrale kanë vlerësuar mundësinë e këtij kombinimi. Zyrtarë të lartë nga të dyja palët kanë bërë të ditur se ky plan është në fazën fillestare, sipas Financial Times dhe se situata politike në Itali ka shkaktuar një vonesë të afatit nga plani origjinal që projektohej pas 18 muajsh.
Societe Generale ka qenë në qendër të spekulimeve për bisedimet për shkrirje me UniCredit, ndërsa bisedime më të fundit brenda industrisë bankare në Europë janë përqendruar te Commerzbank e Gjermanisë. Kreu ekzekutiv i SocGen, Frederic Oudea, ka thënë në fund të vitit të kaluar se marrëveshjet përtej kufijve të bankave në Europë nuk kanë gjasa të ndodhin në të ardhmen e afërt, por shtoi se strategjia e re 3-vjeçare e bankës do ta vendosë në një pozitë më të fortë kur të vijë koha.
Aksionet e bankës franceze u rritën me 2.4%, ndërsa të rivalit italian UniCredit, me 3.8%, pas lajmërimit. Sipas analistëve, këto ujdi janë të arsyeshme në nivel operacional, por mund të përballen me pengesa si klima e pasigurt politike në Itali. Situata politike në Itali ka rritur kostot në kapital për të gjithë aktivet italiane.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.